E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazim dramatik, Dinamo humb shansin për të arritur kreun

Dinamo ka humbur një rast vërtet të artë për të arritur në krye të tabelës së klasifikimit, kur u ndal dje te një barazim 1-1 në takimin e luajtur në "Selman Stërmasi" ndaj Flamurtarit. Nëse 17-herë kampionët do të kishin fituar, do të shikonin veten në kuotën e 19 pikëve, po aq sa Tirana. Por ja që asgjë nuk shkon sipas dëshirës, nëse atë nuk e realizon në fushë. Përballja mes dy skuadrave ka dhuruar emocione të shumta dhe për të thënë të vërtetën, vlonjatët jo vetëm që nuk vodhën asgjë, por mund të thuhet se herë-herë dukej sikur meritonin më shumë. Pas largimit të teknikut Slavko Kovaçiç, trajneri Edmond Liçaj duket se e ka injektuar një frymë të re në ekip, i cili ka ndryshuar pothuajse tërësisht fytyrë. Luan si i barabartë që në minutat e para, nuk mbrohet, madje sulmon dhe është shpesh pranë golit me anë të lojtarëve Alvish, Nenaj dhe Brajkoviç. Dinamo bën lojën e saj, bën presion në çdo cep të fushës, krijon një volum të madh loje, por duket se sulmi i saj nuk është në ditën e tij të mirë. Vlonjatët janë të organizuar mirë në mbrojtje, por edhe kanë një mesfushë të palodhur, e cila e ka syrin te porta kundërshtare. Por do të ishin minutat e fundit të kësaj sfide, të 80-at, ato që kishin ruajtur edhe dramacitetin. Në të 81-ën është Dinamo, ajo që më në fund arin të zhbllokojë rezultatin me anë të Plakut. Por gëzimi zgjat shumë pak, pasi vetëm dy minuta me vonë është Pema (një ish i Dinamos), ai i cili rikthen baraspeshën në rezultat, falë një goli të mrekullueshëm. Pas golave, loja është ndezur së tepërmi. Sulmon njëra skuadër dhe kundërpërgjigjet tjetra, por asgjë nuk ndryshon deri në fund. Ky ishte barazimi i pestë në dhjetë takime për Dinamon, ndërsa trajneri i Flamurtarit, Edmond Liçaj, e nis aventurën e tij me pikë. Dinamo, me barazimin befasues në Tiranë, tashmë gjendet në vendin e katërt, me 17 pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›