E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti, besimet fetare dhe siguria kombëtare

Nënshkrimi, më 24 tetor 2008, i marrëveshjeve midis qeverisë shqiptare dhe komuniteteve tradicionale fetare në vend, përveçse përmbushi një detyrim kushtetues, shënoi fillimin e një kthese pozitive: atë të largimit të shtetit të sotëm shqiptar nga pozicioni absurd i neutralitetit pasiv i këtyre viteve të tranzicionit të tejzgjatur, drejt pozicionit të laicitetit aktiv, ku shteti do të ndikojë në garantimin e faktit të lirisë së fesë. Ky ripozicionim i shtetit shqiptar është një investim për sigurinë tonë kombëtare.

Në të vërtetë, edhe shtete me demokraci të konsoliduar, nisur dhe nga zhvillimet pas 11 shtatorit të vitit 2001, po arrijnë në përfundimin se duhet të shkunden nga indiferenca ndaj çështjeve fetare. Në vite, indiferenca e tyre është shfrytëzuar me mjeshtëri jo vetëm nga rryma e lëvizje ekstremiste, por edhe nga organizata terroriste. Kështu, në fillim të muajit shtator 2007, gazeta britanike "The Times" u hap me një shkrim për xhamitë britanike, duke shprehur shqetësimin se, thuajse gjysma e tyre, kanë rënë në duart e sektit islamik të vijës së ashpër të quajtur "deobandi". Gazeta shkruan se predikuesit kryesorë të këtij sekti i urrejnë vlerat perëndimore dhe u bëjnë thirrje myslimanëve të "derdhin gjak" për Allahun. Ky sekt është një lëvizje ultra-konservatore prej nga ka lindur lëvizja "Taleban" në Afganistan dhe, sipas të dhënave policore të siguruara nga gazeta "The Times", sekti në fjalë drejton mbi 600 nga 1350 xhamitë e Britanisë.

Edhe në Francë, vendin e ndarjes historike midis shtetit dhe kishës romane katolike, duket se gjërat në raport me fenë nuk do të jenë si më parë. Prania e një komuniteti të madh mysliman, kryesisht afrikanoverior, nevoja që ata të marrin një edukim korrekt për islamin dhe për besimet e tjera fetare, si dhe domosdoshmëria e parandalimit të ngjarjeve kërcënuese për sigurinë si ato të fundvitit 2005, po i bind francezët se duhet të shkunden nga indiferenca ndaj çështjeve fetare. Në librin e tij "Republika, religjionet, shpresa", Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, thotë se ka ardhur koha që ligji francez i vitit 1905 mbi laicitetin të rishikohet. Gjithashtu, edhe gjatë vizitës së fundit të Papa Benediktit II, Presidenti Sarkozi bëri dhe një herë thirrje për themelimin e një marrëdhënieje të re midis besimeve dhe Republikës së Francës.

Historikisht, komunitetet fetare në Shqipëri, problemet e tyre financiare i kanë zgjidhur nëpërmjet pronave të shumta që ato kanë pasur, por edhe me ndihmën e shtetit. Pas shpalljes së pavarësisë, shtetarët shqiptarë vlerësuan rëndësinë që ka sigurimi i burimeve dhe pastërtia e tyre për financimin e komuniteteve fetare. Kjo ishte e rëndësishme për ta, jo vetëm për garantimin e lirisë fetare, por edhe për vetë të ardhmen e shtetit të ri që ata po ndërtonin. Ata përcaktuan me ligj që, kleri fetar do të financohej pjesërisht nga arka e shtetit, në raport me numrin e popullsisë së çdo besimi.

Më vonë, administrata e mbretit Zog, pranoi financimin pjesërisht të komuniteteve fetare dhe me ligj kërkoi transparencën për fondet dhe pasuritë e këtyre komuniteteve. Edhe regjimi komunist, derisa përgatiti kushtet dhe realizoi ndalimin e plotë të lirisë fetare, duke ndjerë rrezikun e rënies së institucioneve fetare nën ndikimin e të huajve, si pasojë e mungesës së financimeve, si dhe duke vlerësuar kërcënimin që mund t‘i vinte pushtetit të tyre, në kundërshtim dhe me vetë teorinë marksiste-leniniste, vendosi të financonte pjesërisht komunitetet fetare.

Megjithëse kuadri ligjor shqiptar, që nga rënia e komunizmit ka sanksionuar lirinë e fesë, nuk mund të flitet për garantim real të kësaj lirie, kur komunitetet fetare vendase, në shumicën e rasteve, nuk i kanë mundësitë financiare dhe burimet materiale për të mundësuar aktivitetin e tyre të lirë fetar dhe më shumë se gjysmën e buxhetit të aktivitetit të tyre e sigurojnë nga burime të huaja. Liria e aktivitetit fetar për secilin komunitet, në këtë rast, është e varur nga ndihmat e jashtme, jo rrallë të kushtëzuara, e që arrijnë t‘i sigurojnë vetë.

Nënshkrimi i marrëveshjes midis shtetit shqiptar dhe komuniteteve fetare do t‘i hapë rrugë hartimit dhe miratimit të një pakete ligjore, që do të mbushë vakumin ligjor që ekziston në vend lidhur me financimin e komuniteteve fetare, sistemin arsimor fetar dhe kthimit e kompensimit të pronave të këtyre komuniteteve. Pikërisht kjo përbën një investim serioz për sigurinë tonë kombëtare.

E një rëndësie të veçantë është marrëveshja me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku shteti merr përsipër mbrojtjen e këtij komuniteti nga çdo tentativë rivalizuese apo uzurpuese. Në nenin 5 të saj thuhet: "Shteti respekton Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe garanton mbrojtjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet dhe vulën e saj".

Gjithashtu, në marrëveshje, qartë dhe prerë, mbrohet varianti tradicional i islamit shqiptar, duke i prerë rrugën çdo tentative arabizuese vehabiste. Në nenin 2 të saj është përcaktuar se "Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është organizim i personave besimtarë myslimanë që shfaqin, shprehin dhe/ose ushtrojnë bindjet, parimet dhe praktikat fetare të përcaktuara në burimet e legjislacionit islam, Shkollën Juridike Fetare ‘Hanefi‘ dhe statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë".

Në marrëveshjen në fjalë, ka gjetur pasqyrim këmbëngulja e dy palëve, shtetit dhe Komunitetit Mysliman, kundër çdo deformimi dhe prirjeje ekstremizuese. Kështu, në nenin 3 shprehet qartë se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është "të njohë e të garantojë reagimet dhe veprimet e vetë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ndaj deformimeve, prirjeve ekstremizuese apo çdo shfaqjeje tjetër ashpërsie në mjediset e besimtarëve të vet. Për të gjitha rastet e kësaj natyre, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton organet përkatëse".

Marrëveshjet e nënshkruara me komunitetet fetare janë të rëndësishme dhe në një tjetër drejtim. Për herë të parë, pas 18 viteve të demokracisë, bëhen përpjekje për ta disiplinuar në rrugë ligjore sistemin arsimor fetar në vend. Në akt-marrëveshjet me komunitetet fetare, shteti u njeh të drejtën që ato, "në përputhje me kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të ngrenë dhe të administrojnë institucione edukative e arsimore të të gjitha niveleve", por vetëm në bashkëpunim me shtetin, komunitetet fetare duhet të "hartojnë kurrikulat përkatëse për shkollat fetare jopublike, si dhe të bëjnë vlerësimin dhe certifikimin e personelit pedagogjik. Për miratimin e tyre ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës".

Kjo është e një rëndësie të veçantë, pasi edukimi fetar, për kushtet e vendit tonë, që ka një popullsi relativisht të vogël, me katër besime fetare tradicionale, nuk mund të jetë thjesht një problem pedagogjik e arsimor, por ai ka ndikimet e tij edhe në sigurinë kombëtare. Sepse marrja nga fëmijët dhe adoleshentët e njohurive të shtrembëruara për një besim fetar, shumë herë përjashtuese për besimet e tjera fetare, të kushtëzuara, në disa raste, me ndihma ekonomike, të ofruara nga organizata me origjinë dhe financime të dyshimta, e bën këtë kontingjent lehtësisht të manipulueshëm për t‘u përdorur për veprime antiligjore dhe një kërcënim serioz për tolerancën fetare të vendit tonë. Tashmë, duket se do të marrë fund praktika e atij sistemi arsimor fetar ilegal e gjysmë ilegal, që ka funksionuar prej vitesh në vendin tonë.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve nuk cenon laicitetin dhe shekullarizimin, të shenjta për një shtet demokratik. Nuk cenojnë as të drejtën e besimit të njerëzve, si një e drejtë e jetës private, që njihet dhe mbrohet në të gjitha dokumentet ndërkombëtare që lidhen me të drejtat e njeriut. Përkundrazi, me qëllim që liria e besimit të mos mbetet deklarative, shteti ka për detyrë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar gëzimin efektiv të kësaj lirie, për ta mbrojtur atë sidomos nga ndërhyrjet, që synojnë të nxisin deformime, prirje ekstremizuese apo çdo shfaqje tjetër ashpërsie në mjediset e besimtarëve.

Ata persona apo organizata të identifikuar se nxisin deformime e prirje ekstremizuese, të cilët përpiqen të ngrenë zërin se me këto marrëveshje gjoja po u cenohen liritë e tyre, duhet ta kenë të qartë se edhe në legjislacionin ndërkombëtar parashikohet se "jeta private e ka një kufi, kur ajo vjen në kontakt me jetën publike dhe kur ndeshet me interesa të tjera". Përveç kësaj, në nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është përcaktuar se kufizimet e jetës private bëhen edhe "... kur kjo masë është e domosdoshme në një shoqëri demokratike për sigurimin kombëtar, për sigurimin publik... ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve".

Përfundimisht, realizimi i marrëveshjeve midis shtetit dhe komuniteteve fetare shënon një zhvillim pozitiv, atë të pozicionimit të shtetit drejt laicitetit aktiv, ku ai merr përsipër të ndikojë në garantimin dhe realizimin faktik të lirisë së fesë. Kjo dhe hartimi e miratimi i një pakete ligjesh, që do të mbushë vakumin ligjor që ekziston në vend lidhur me financimin e komuniteteve fetare, sistemin arsimor fetar dhe kthimin e kompensimin e pronave të këtyre komuniteteve, janë investimi i duhur për sigurinë tonë kombëtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›