E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shqiptar i papunë në Itali, qëndrim vetëm për gjashtë muaj

"Humbja e vendit të punës, cilido qoftë shkaku, nuk përbën motiv për anulimin e lejes së qëndrimit të shtetasit shqiptar apo familjarëve të tij që jetojnë në Itali". Kështu shprehen specialistët e emigracionit, për një emigrant shqiptar që ka një leje qëndrimi, qoftë kjo edhe pranë afatit të skadencës. Në të vërtetë, ligji italian i njeh punëtorit të huaj mundësinë e qëndrimit në territorin kombëtar, me qëllim gjetjen e një punësimi të ri. Në rastin kur shtetasi shqiptar humb vendin e punës, si shkak i largimit apo dorëheqjes, sa kohë që zotëron një leje qëndrimi ende të vlefshme ka mundësi: të ndryshojë punë, duke ushtruar çdo lloj aktiviteti; të vendosë të regjistrohet në listën emërore, apo në listat e lëvizshmërisë së Qendrave për Punësim për kohën e mbetur të vlefshmërisë së lejes së qëndrimit. Kjo vlen edhe për një periudhë jo më të vogël se gjashtë muaj (me përjashtim kur bëhet fjalë për një leje qëndrimi me motive stinore). Me qëllim regjistrimin, emigranti shqiptar duhet të paraqitet në Qendrën për Punësimin, brenda 40 ditësh nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve të punësimit për të bërë një deklaratë, nga e cila provohet aktiviteti i mëparshëm dhe se është i gatshëm të ushtrojë aktivitet punësimi, duke treguar lejen e qëndrimit ende të vlefshme.

Ripërtëritja e lejes së qëndrimit

Nëse me skadimin e lejes së qëndrimit, emigranti shqiptar nuk ka gjetur një vend të ri pune, duhet t‘i kërkojë Kuesturës kompetente, përmes paketës postare ripërtëritjen e lejes, duke i bashkëngjitur kërkesës, mes dokumenteve të tjera, kopjen e certifikatës së regjistrimit në listat e lëvizshmërisë, apo në listën emërore të Qendrës për Punësim. Kuestura do të lëshojë një leje qëndrimi në pritje të punësimit me vlefshmëri kohore 6-mujore. Nëse në këto gjashtë muaj, ai gjen një punëdhënës të ri, pas marrjes në punë, duhet të nënshkruajë një kontratë të re qëndrimi (modeli Q) dhe ta dërgojë kërkesën për konvertimin e lejes së qëndrimit nga ajo me motive të pritjes së punësimit në leje qëndrimi si punëmarrës, te Kuestura kompetente, përmes paketës postare. Vetëm nëse ndodh që në përfundim të periudhës së vlefshmërisë në pritje të punësimit (6 muaj) ai nuk ka gjetur asnjë punëdhënës për ta punësuar, duhet të rikthehet në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›