E Diel, 1 Nëntor 2026

Barbara: Lidhja e tim eti me adoleshentet më ka befasuar

Njëra nga vajzat e Kryeministrit
italian, Berluskoni, është distancuar
publikisht nga i ati, duke
thënë se ishte çuditur kur kishte
mësuar se i ati i saj 72-vjeçar kishte
marrëdhënie me një adoleshente.
Këtë deklaratë ajo e bëri në një
intervistë, e para e saj, që nga
plasja e skandaleve seksuale të
njeriut që drejton Italinë. Bashkëshortja
e Berluskonit, Veronika
Lario, ishte e para në familje që
publikisht iu kundërvu të shoqit
për sjelljen skandaloze dhe marrëdhëniet
e dyshimta me të miturat.
"Jam befasuar", ka deklaruar
ndërkohë Barbara Berluskoni në
një intervistë të versionit italian
të "Vanity Fair". Ndër të tjera ajo
shtoi se zyrtarët e shtetit duhet
të mishëronin vlera morale dhe
se nuk duhet të bëjnë dallime
mes jetës së tyre publike dhe
asaj private. E pyetur për lidhjen
mes të atit të saj dhe 18-vjeçares
Naomi Letizia, Barbara, që është
fëmija më i madh i Kryeministrit
lindur nga martesa e tij e dytë, tha:
"Historia ime është ajo e një vajze
që ka jetuar fëmijërinë dhe rininë
në një ambient normal e të qetë.
Unë nuk kam frekuentuar kurrë
meshkuj shumë më të mëdhenj
dhe këto janë marrëdhënie e lidhje
psikologjike që nuk i kam përjetuar".
25-vjeçarja është nënë e dy
fëmijëve dhe nuk ka vënë kurorë,
ndërsa në lidhje me problemet
e prindërve të saj tha: "Unë dua
të jem pranë tyre, sepse vuajtja e
tyre është e madhe dhe i ka prekur
të dy njësoj". E pyetur në lidhje
me ndarjen e prindërve dhe përfundimin
e një marrëdhënieje të
madhe dashurie, Barbara deklaroi
se ishte e bindur që për të ëmën
kishte qenë një histori e madhe
dashurie dhe se pavarësisht se si
kishin shkuar gjërat gjatë 30 viteve
të kësaj lidhjeje, ajo ishte e sigurt
që të dy prindërit e kishin pasur
për zemër mirëqenien shpirtërore
të njëri-tjetrit. Ndërsa në lidhje me
kontrastin mes sjelljes së Kryeministrit
dhe popullaritetit të tij ende
të lartë, Barbara tha: "Mendoj se
një shoqëri shpreh një sens të
përbashkët moral. Përfaqësuesit
politikë, prej të cilëve pritet një
qeverisje e mirë, vetëm nëse sillen
mirë e bëjnë të begatë një shoqëri.
Prej tyre pritet ruajtja dhe çuarja
më tej e vlerave. Nuk mendoj se
një politikan mund t‘i lejojë vetes
një dallim mes jetës politike dhe
asaj private".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›