Dëshironi të shihni një shkrimtar?
Sapo është hedhur në qarkullim përmbledhja me novela "Çfarë dëshironi të shihni?" të shkrimtarit amerikan Raymond Carver. Kur kam marrë në dorë për herë të parë përmbledhjen e novelave "Çfarë dëshironi të shihni?" të Raymond Carver, njërit prej novelistëve më të mëdhenj amerikanë të fundshekullit XX (ndoshta më i madhi, së bashku me J.D. Salinger), nuk kam mundur të mos lëshohem në një melankoli të thellë, gjendje kjo e përftuar dalëngadalë, ndërsa faqet kalonin, e kur më qartësohej ideja se jeta, nën penën e Carver, është sa e bukur aq dhe e trishtë. Bëhet fjalë për pesë novelat e fundit të Carver, botuar pas vdekjes nga bashkëshortja e tij, Tess Gallagher, vetë poete dhe njeri i letrave, që janë gjendur rastësisht gjatë hulumtimeve nëpër letrat e tij të shumta, të lëna lart e poshtë.
Raymond Carver, lindur më 1938 në shtetin Oregon të SHBA-së, ka kaluar një fëmijëri të vështirë mes një babai sharrtar dhe një nëne herë shitëse e herë shërbyese. I martuar tetëmbëdhjetë vjeç me një vajzë të re gjashtëmbëdhjetë vjeçe tashmë shtatzënë, ai bëhet dy herë baba në moshën njëzet vjeç. Në një gjendje të vështirë financiare, ai detyrohet të bëjë gjithfarë punësh si roje, shitës apo punëtor sharre, ndërsa e shoqja e tij, shërbyese, sekretare dhe më vonë mësuese.
Pas shpërnguljes së tyre në Kaliforni, Carver fillon të interesohet ndaj shkrimit dhe vazhdon studimet në Universitetin Shtetëror të Chico, pastaj në Universitetin Humboldt në Kaliforni dhe së fundi në Universitetin e Iowa. Novelat e tij të para fillojnë të botohen në revista të ndryshme. Pas lulëzimit të karrierës së tij si shkrimtar, ai jep mësim në universitete të ndryshme dhe veçanërisht në Universitetin e Sirakuzës, si profesor i anglishtes. Kësaj periudhe i përkasin edhe shkrimet e shumta kritike mbi botimet e reja të asaj kohe.
Gjithsesi, gjatë tërë këtyre viteve ku ai përpiqet të punojë majtas-djathtas dhe njëkohësisht të shkruajë, fillon të pijë në atë masë sa ai shprehet vetë që alkooli ishte bërë një problem në jetën e tij, ngaqë pjesën më të madhe të kohës e kalon para një gote. Megjithatë, arrin të shkëputet nga kthetrat e alkoolit falë Shoqatës së Alkoolikëve Anonimë.
Pasi ndahet më 1982 nga bashkëshortja e tij, Maryann, ai lidhet përfundimisht me Tess Gallagher, poete, me të cilën ishte njohur më 1979 në një konferencë shkrimtarësh në Dallas. Martohen më 1988, por vetëm dy muaj më pas, Raymond Carver shuhet nga një kancer mushkërish, në moshën 50-vjeçare. Sapo kishte hyrë në Akademinë Amerikane të Letërsisë dhe Arteve.
Pesë novelat e paraqitura në këtë vëllim janë pesë copëza jete njerëzish të thjeshtë. Braktisja, zhgënjimi, alkooli janë temat e zakonshme të Carver që i gjejmë gjithandej në veprën e tij. Në pothuajse të gjitha tregimet dhe novelat e tij, ne do të gjejmë një personazh me një gotë uiski apo Burbon në dorë. Nëse dikush ju pyet që pse ju pëlqen kaq shumë Carver, ka shumë gjasa që ju nuk do të mund ta shprehni me fjalë: thjesht e doni dhe kaq. E doni sepse shkrimi i tij është ai lloj shkrimi që fryn brenda jush një atmosferë, një gjendje mahnitjeje dhe keqardhjeje. Ndërsa lexojmë rreshtin e fundit të novelës, përshtypja e lënë është ajo e një urie të pangopur, e një pritjeje që nuk do të vijë kurrë. Aq mirë sa mund të kthejmë faqen për të parë nëse nuk vazhdon përsëri. Por jo, novelat e Carver kanë atë magjinë e të thënit shumë gjëra me vetëm fare pak fjalë. Me një shkrim të përkorë, minimalist madje, ai arrin të japë një gjendje shpirtërore që rrallë mund të gjendet te ndonjë autor tjetër.
Për çfarë flasin historitë e këtij vëllimi? Po ja, në "Më thirr nëse ke nevojë për mua", kemi një çift, burrë e grua, ku të dy kanë nga një histori mënjanë dhe nuk e fshehin këtë. Aventura e tyre po merr fund. Dhe ata kanë menduar të kalojnë ca ditë diku veçan, para se të ndahen, pasi kanë përcjellë të birin te gjyshja, i cili i ka nuhatur të gjitha dhe që shpreson ende se mos prindërit e tij do të vihen përsëri bashkë. Por ndërsa malli ka pushtuar mendjet e tyre, malli i ndarjes, ja që gjatë natës ca kuaj të bardhë kanë pushtuar kopshtin e tyre. Një bukuri, një mrekulli, një shenjë ndoshta...
Në novelën "Ëndrra" kemi një familje amerikanësh mesatarë, ku përballë tyre një shtëpi të thjeshtë, në të cilën jeton një nënë e re me dy fëmijët e saj, braktisur nga i shoqi. E shoqja e çiftit sheh vazhdimisht ëndrra, të çuditshme, aq të çuditshme sa ajo dëshiron t‘i mbajë shënim. Gjithçka ecën qetë-qetë deri një natë kur shtëpia e nënës së re përballë…
Novela "Vandalët" hapet me paraqitjen e katër vetave, dy çifte që janë miq me njëri-tjetrin. Tre nga të katërt kanë qenë bashkë në shkollë. I katërti është "futur" më vonë. Ndërsa bisedojnë për gjithçka dhe asgjë, fjala shkon te një i pestë, Billi, që ka qenë i dashuri i njërës prej grave të pranishme. Billi ka qenë shok i tyre në shkollë. Dhe ja që tani bashkëshorti i ri e ndjen veten si të tepërt, ndonëse ai nuk thotë asgjë. Atij i duket se ka hyrë me forcë në një shoqëri të ngushtë. Si në të gjitha novelat e Carver, alkooli vjen të zërë vend shpejt në bisedë. Dhe këtu do të mbivendosen ca ngjarje, që në fakt nuk kanë ndonjë lidhje mes tyre, por që dërgojnë tërthorazi te njëra-tjetra, deri te një zjarr i hershëm dhe një i ditës…
Në "Dru për dimër", një novelë mjaft e bukur, kemi një njeri të vetmuar që sapo është ndarë nga e shoqja, si pasojë e alkoolit (një pikë qendrore në veprën e Carver). Ai ka vendosur të bëjë një jetë të re, por pa e ditur mirë ç‘të bëjë. Dhe ja që fati e çon të marrë me qira një dhomë, në shtëpinë e një çifti të rëndomtë, i cili përcjell një jetë ku nuk ndodh pothuajse asgjë. Ditët kalojnë duke ngjasuar me njëra-tjetrën si dy pika uji. I sapoardhuri e kalon ditën duke u menduar dhe duke bërë kujdes që të mos përballet shpesh me çiftin e shtëpisë. Një makinë drush vjen në shtëpi dhe i riu mendon ta ndihmojë çiftin… Kjo novelë të ngjan me një tablo ku shikuesi përballë duhet të hulumtojë çdo hollësi për të mundur të kapë frymën e saj. Dhe ndërsa ia kthen shpinën tablosë, ai nuk kujtohet në veçanti për asnjë hollësi, por largohet duke tundur kokën që sapo ka parë një tablo të shkëlqyer.
Dhe novela e fundit që mbyll përmbledhjen, "Çfarë dëshironi të shihni?" rikthehet përsëri mbi atë çka përbën sekretin e novelave të Carver: ndarja, largimi, melankolia, një keqardhje për ditët e shkuara, një endje e vazhdueshme pa ditur ç‘kërkohet, shkurt, një copë jete e zakonshme të çdonjërit prej nesh. Një çift do të largohet nga shtëpia ku ata kanë banuar deri tani, një shtëpi e dhënë me qira nga pronari i një restoranti. Një ngjarje krejt e rëndomtë. Mirëpo pronari mendon t‘i ftojë për darkë në natën e fundit, thjesht për të kaluar pak çaste të këndshme. Darka futet nëpër kujtime, si për të dashur të thuhet që ajo çka i mungon një njeriu është thjesht pakëz ngrohtësi, ngrohtësi familjare, miqësore…
E kështu, pa dashur të shuaj kureshtjen e lexuesve, pesë novelat e këtij vëllimi shquhen për nga rrezatimi i veçantë dhe nga gjurma që ato lënë në shpirtin tonë. Mbylljet e novelave të Carver nuk kanë asgjë të veçantë, asgjë të fryrë, por ato janë kaq mjeshtërisht të ndërprera sa ne rrimë për një kohë të gjatë pas leximit, duke shqyrtuar e rishqyrtuar shijen e lënë në gojë: keqardhje, trishtim, dorëheqje, thjeshtësi. Për t‘u përmendur, është vetë shkrimtari i madh japonez, Haruki Murakami, ai që siguron përkthimin e novelave të Carver në japonisht. Madje, nëse mund të shtoj këtu, vetë novelat e Murakamit kanë një shije Carver. Kjo është të thuash se bukuria e lë gjurmën e vet në shpirtin tonë, edhe pa e vënë re.