E Diel, 1 Nëntor 2026

"Barça luante bukur, Porto ishte më e fortë"

Deko e ka cilësuar Barcelonën një skuadër "të bukur" në sezonin kur me katalanët mesfushori portugez fitoi Ligën e Kampioneve. Megjithatë, ai pohoi se Porto ishte "më e fortë". 31-vjeçari, i cili aktivizohet te Çelsi prej fillimit të këtij sezoni, është shpallur kampion i Evropës me të dyja klubet: fillimisht me luzitanët në vitin 2004, kur në krye të skuadrës ishte Hoze Murinjo, ndërsa në vitin 2006 me spanjollët. Për "The Times", Deko foli rreth mentalitetit që trajneri solli në radhët e Portos. "Barcelona luante futboll të bukur, por mendoj se skuadra jonë në Oporto ishte më e fortë", shpjegoi ai. "Kur ishim ne ata që shënonim të parët, loja mund të quhej praktikisht e mbyllur. Murinjo krijoi një mentalitet fantastik. Këtu te Çelsi ka shumë lojtarë të mëdhenj, të gjithë e njohin kualitetin e Lampard dhe të të tjerëve, por mendoj se në lojën e tyre ka ndikuar edhe Murinjo, i cili ka punuar disa vjet në ‘Stemford Brixh‘".

Deko iu shtua kontingjentit të bluve londinezë në fillim të sezonit, por paraqitjet e tij nuk ishin në nivelet e kërkuara. Forma e dobët e mesfushorit lidhet edhe me dëmtimet gjatë këtij sezoni. Gjithsesi, anëtari i përfaqësueses portugeze ka besim se te klubit anglez ka shansin të fitojë trofe, ndërsa në Premiership skuadra e Gus Hidink duhet të vazhdojë të marrë tri pikët në çdo ndeshje. "Çelsi ka një skuadër të madhe, këtu aktivizohen lojtarë me emër, të cilët mund të vendosin fatin e ndeshjes. Përpara se të vija këtu kisha oferta edhe nga disa klube të tjera. Nuk i zgjodha blutë prej Luis Felipe Skolarit, por synoj të fitoj kupa të tjera dhe Çelsi është vendi më i mirë për të realizuar këtë ambicie", pohoi mesfushori. "Nëse do t‘i fitojmë të gjitha ndeshjet, mund të shpallemi kampionë në Premiership, por kur klasifikimi varet nga skuadrat e tjera, realizimi i këtij objektivi nuk është aq i thjeshtë. Nëse Mançesteri humbet ndeshjet, ndërsa ne nuk do të dimë të përfitojmë, do të ishte katastrofike". Në fund, ai premton se do të përpiqet të paraqitet me të gjitha forcat të ndihmojë ekipin: "Vlerësimet nëse ky ishte një sezon i suksesshëm apo zhgënjyes jepen vetëm në fund. Do të jap më të mirën në fushë, në mënyrë që në këtë fund të sezonit të shihni Dekon më të mirë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›