Pendohet për penalltine: Prite dhe më shpëto ti
Gabimet e gjyqtarëve në futboll janë njerëzore, por në disa raste ato rezervojnë situata komike. Diçka e tillë ka ndodhur në kampionatin elitar në Belgjikë, me "bilbilin" Peter Verveken. Ai e kuptoi se kishte marrë vendimin e gabuar, vetëm pasi akordoi një penallti në favor të Gent, në sfidën kundër Tubizës. Por, duke qenë se nuk mund të bënte asgjë për të riparuar gafën, iu lut portierit Nikolas Arduin që ta priste gjuajtjen. Rrëfimi i "gardianit", konfirmoi episodin në javën e 25-të të Jupiler League: "Po, është e vërtetë. Gjyqtari (Verveken) m‘u lut që ta prisja penalltinë. Është hera e parë në karrierë që më ndodh diçka e tillë. Pasi fërshëlleu penalltinë, ai më tha: ‘Më shpëto, prite‘". Ai takim u fitua nga Gent, me rezultatin 2-0, ndërkohë që edhe gjyqtari e pranoi gabimin teknik: "Faulli ishte inekzistent, fola me portierin e Tubizës dhe i kërkova të ‘rregullonte‘ gabimin tim".