E Diel, 1 Nëntor 2026

Hansanbelliu akuzon Duron: Tentoi manipulimin e ndeshjes

Pas dhunës së paprecedent në kampionatin shqiptar të futbollit, rikthehen edhe akuzat për manipulime ndeshjesh. Por koincidenca, si në çdo sezon tjetër, është se deklarata të tilla vijnë pikërisht në Fazën e Tretë të kampionatit, atëherë kur edhe skuadrat fillojnë të bëjnë llogaritë. Në qendër të vëmendjes është vënë takimi i javës së 23-të të sezonit, i luajtur të shtunën e fundit në qytetin bregdetar, i cili u mbyll me fitoren 3-2 të durrsakëve. Këtë herë është presidenti i Teutës ai që nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të trajnerit të Partizanit, Shpëtim Duro. Sipas numrit një të skuadrës durrsake, tekniku i të kuqve ka kontaktuar me futbollistët e tij, të cilëve u ka kërkuar të mëshironin ekipin e tij, që rrezikon rënien nga kategoria në Superiore. Ai ka konfirmuar dje se, një lojtar i ka rrëfyer që "trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, e ka takuar dhe i ka kërkuar të tolerojë skuadrën e tij". Po ashtu, zërat për tentativën e dështuar të trukimit të këtij takimi nuk kanë munguar gjatë këtyre tri ditëve. Ata që e kanë hedhur në qarkullim një gjë të tillë kanë qenë vetë tifozët e Partizanit. Sipas tij, pjesëtarë të stafit të skuadrës së tyre të zemrës kishin kontaktuar me tre-katër lojtarë kundërshtarë, me të cilët kishin arritur në ujdi, që ndeshja të mbyllej në barazim. Madje, nuk kanë munguar edhe dyshimet rreth momentit të golit të tretë të Teutës, ku disa lojtarë vendas u dukën me shumë të mërzitur se sa të gëzuar. Gjithsesi, deri tani këto të fundit mbeten vetëm në rangun e hipotezave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›