E Diel, 1 Nëntor 2026

Bekham, tani shkon më tej: Dua Champions me Milanin

Ka realizuar një ëndërr. Por Devid Bekham është nga ata që nuk kënaqen lehtë. Pasi ka zgjatur kontratën me Milanin, deri në fund të qershorit, ka projektuar tashmë 2010-ën, pjesëmarrjen në Botëror.

Anglezi, që nuk dëshiron të humbasë kurrsesi vlerësimin e trajnerit Fabio Kapelo, ka si ëndërr në sirtar të luajë në Champions League me kuqezinjtë: një trampolinë ideale drejt Botërorit afrikanojugor. Ky i i britanikut është një mision: "Do të doja që ta mbyllja këtë kampionat duke ndihmuar Milanin të kualifikohet për në Champions League, që është në ‘Adn‘-në e këtij klubi. Milani i përket Championsit. Dhe shpresoj të jem pjesë e tyre", thotë Bekham. Ai shpjegon rolin e tij: "Njerëzit pyesin se si do t‘ia bëj që të luaj këtë vit si për Milanin, ashtu edhe për Galaksin. Nuk më ka trembur kurrë puna, dhe pastaj do të kem një pushim të gjatë katërjavor dhe një tjetër po ashtu në dhjetor. Kështu që kur të kthehem në janar do të jem në një formë të mirë. Edhe për këtë arsye, marrëveshja është e përsosur".

Por vajtje-ardhjet nuk kanë fund. Në fund të kampionatit amerikan (në nëntor) do të rikthehet në Itali për t‘u gjendur i gatshëm për në janar 2010. "Po luaj në një nga klubet më të mëdha me shumë prej lojtarëve më të mirë të botës, shpjegon ai, dhe pastaj për të fituar të drejtën që të marr pjesë në Botëror, them se jam gati të bëj gjithçka, vetëm e vetëm që të më thërrasë trajneri Kapelo; të gjithë e dinë se sa shumë dua që të luaj për vendin tim. Shumë persona më kanë ndihmuar që të arrij në Kombëtare dhe sot dëshiroj ta ndihmoj veten time". Por nuk e mbyll të ardhmen me Kaliforninë: "Besoj se futbolli në Amerikë mund të bëhet diçka më i rëndësishëm. Një ditë kur të vendos të mos luaj më futboll, do të blej një skuadër të Major League. Dua të kontribuoj në zhvillimin e futbollit në Amerikë. Kjo gjë më emocionon shumë. Dhe pastaj familja ime është e lumtur në Los Anxhelos". Bekham tregon se ecuria për të realizuar ëndrrën e tij te kuqezinjtë ka qenë e vështirë. "Për të mbyllur tratativën është dashur shumë punë pas kuintave nga ana ime, por edhe nga ana dy skuadrat. Dëshiroja të qëndroja, e dinin të gjithë, dhe ata të Galaksit janë sjellë në një mënyrë të mrekullueshme".

"Kam bërë gjëra të mira në karrierën time, kam luajtur në shumë klube të mëdha dhe jam i lumtur të qëndroj te Milani. Karriera ime bazohet vetëm në fushë, njerëzit flasin për paratë që kam fituar, por kurrë nuk e kam parë si një çështje parash, por vetëm futbolli, dhe shpresoj se këtë gjë e kam demonstruar". Ndërkohë, vijnë reagime të ashpra nga Amerika, ku Bekham ka lënë shumë të zhgënjyer. Tifozët e Galaksit janë kundër tij: "Ishte një hero, por tani është një tradhtar". Zgjatja e kontratës me Milanin nuk është pritur mirë në Los Anxhelos nga tifozët, të cilët shfryhen në forume: "Shpresojmë të mos kthehet më, ka qenë një dështim", "Është nga ata që shkojnë nga fryn era e interesit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›