E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça, me Bajernin për misionin e pamundur

Altin Manallari

Katalanasit, gati të japin shpirtin në fushë në kërkim të natës perfekte për mrekullinë

Mesi dhe Roben ne Wallpeper per Barcelona Bayern MynihMë shumë se sa thjesht një Remuntada, këtë herë Barcelonës i nevojitet shumë më shumë. Në fakt, do ti duhet një mrekulli për të përmbysur rezultatin 4-0 në ndeshjen e parë në Alianz Arena përballë një Bajerni superior. Futbollistët e skuadrës spanjolle do të provojnë të bëjnë të pamundurën për tua prishur festën gjermanëve, që ëndërrojnë një finale të gjithën të tyre në mitikun Uembli. Do të ishte Remuntada e së gjithë historisë së klubit katanalas.

LLOGARITË – Mesi me shokë janë sigurisht të zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes së parë, por e dinë se ata janë skuadra më fortë e botës (akoma edhe për pak kohë?) dhe brenda mureve të Kamp Nout të mbushur plot e përplot besojnë se mundet tia dalin për të bërë surprizën e madhe: të shënojnë pesë gola, të mos pësojnë asnjë dhe të kualifikohen. Ose të paktën të shënojnë katër gola pa pësuar asnjë për të shkuar në kohë suplementare, ku më pas ti besojnë fatit. Trajneri Tito Vilanova duhet të shpresojë te mbrëmja perfekte e djemve të tij kundër një kundërshtari që e ka mendjen që tani tek Uembli. Vetëm kështu blaugranët do të kenë mundësinë për të shkruar një tjetër faqe të historisë së futbollit.

PRECEDENTËT – Precedenti i fundit, në çerekfinalet e sezonit 2008/2009, u buzëqesh blaugranave, që i dërmuan bavarezët 4-0 (2 gola të Mesit, Eto’o dhe Henri) në Kamp Nou për të dalë pa dëm (1-1) në kthim në Gjermani. Ndërsa tre precendentët e tjerë në kompeticionin prestigjioz europian për klube, janë tre suksese të Bajernit dhe një barazim. Jup Hejnkes nuk është se nuk i njeh përmbysjet. Në sezonin 1985-86, pasi ka fituar 5-1 në ndeshjen e parë me Borusia Mynshengladbahun e tij, humbi 4-0 në kthim duke u eliminuar në 1/8-at e Kupës UEFA. Kundërshtari ishte spanjoll edhe atëherë: bëhej fjalë për Realin e Madridit.

BARCELONA – Nuk jeton një moment të një forme të shkëlqyer, siç kemi mundur ta shohim në ndeshjen e parë. As në kampionat katalanasit nuk kanë shkëlqyer, duke u ndalur te një barazim 2-2 kundër Atletiko Bilbaos. Nevojitet Leo Mesi më i mirë sonte në mbrëmje: argjentinasi është ende në kërkim të formës së tij më të mirë pas dëmtimit të pësuar. Në letër duket një mision i pamundur edhe për një fenomen si ai. Vilanova ka studiuar lëvizjet për të kaluar pengesën bavareze. Do të zbresë një skuadër të rreshtuar 4-3-3 me Valdes në portë, Dani Alvesh e Adriano në krahë dhe Pike e Batra në qendër të mbrojtjes; Buskets, Ksavi e Iniesta do veprojnë në mesfushë, ndërsa në sulm David Vija duket në avantazh ndaj Aleksis Sançez për tiu bashkuar Pedros dhe Leo Mesit.

BAJERN MYNIH Miqtë nuk besojnë, me gjithë fitoren e thellë në ndeshjen e parë. Nëse Roben shikon shumë entuziazëm vërdallë (Dëgjoj të flitet për një finale e gjitha gjermane, por në kokën tonë duhet të jetë vetëm Barcelona), Franc Bekenbauer i trembet lojës së kundërshtarëve: Do provojnë çdo mënyrë. Janë plagosur në krenari pas 0-4 dhe do përdorin çdo truk, të rregullt ose jo, për të bërë mrekullinë. Jup Hejnkes ka më shumë frikë për listën e gjatë të të rrezikuarve nga kartonët (Lahm, Shvajnshtajger, Martinez, Dante, Gomez e Gustavo). Ai i beson modulin 4-2-3-1 me Nojer në portë, Dante-Boateng qendërmbrojtës dhe Lahm e Alaba në krahë; linja e mesit të fushës me Martinez e Shvajnshtajger, që mbështesin Riberi, Mylerin dhe Roben më të avancuar. Rikthehet Manxhukiç si pykë e vetme në sulm. Tashmë gjithçka është gati dhe fjalën do ta thotë vetëm fusha.

Formacionet e mundshme

Barcelona (4-3-3)

Valdes

Dani Alvesh, Bartra, Pike, Adriano,

Ksavi, Buskets, Iniesta

Pedro, Mesi, Vija (Sançez)

Trajner: Vilanova

Bajern Mynih (4-2-3-1)

Nojer

Lahm, Boateng, Dante, Alaba

Havi Martinez, Shvajnshtajger

Roben, Myler, Riberi,

Manxhukiç (Gomez)

Trajner: Hejnkes

Barça, me Bajernin për misionin e pamundur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›