E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça, në Tiranë brenda nëntorit

Bumçi me zyrtarë të Barcelonës

Barcelona me shumë gjasë do të vijë brenda nëntorit në Shqipëri. Këtë e ka konfirmuar dje MTKRS-ja, pas takimit që drejtues të lartë të klubit katalanas zhvilluan me ministrin Aldo Bumçi. Sipas Ministrisë, zv.presidenti i Barcelonës, Fuste Josep Maria, ka dhënë premtimin se brenda tre muajve të ardhshëm Barcelona do zbresë në “Qemal Stafa”. “Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, priti një delegacion nga klubi i futbollit të Barcelonës në Spanjë të përbërë nga drejtues dhe menaxherë, kryesuar nga zv/presidenti i klubit, z. Fuste Josep Maria. Z. Fuste Josep Maria ishte i shoqëruar gjithashtu nga z. Jose Carlos Garcia, si dhe z.Jose Carlos Garcia de sa Jerome, përfaqësues të medias. Në takim mori pjesë zv/ministri i Sporteve Z. Dashnor Bajaziti, dy nga sponsorët kryesorë që do të mundësojnë ardhjen e këtyre dy ekipeve në vendin tonë, z. Blerim Hoxha, z. Besim Ruçi, si dhe përfaqësues të drejtorisë së sportit. Z.Fuste Josep Maria në takim garantoi ardhjen e dy skuadrave spanjolle në Shqipëri, ndërsa shprehu dëshirën që Barcelona të jetë skuadra e fundit që do të zhvillojë një ndeshje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” para prishjes së tij dhe e para që do të zhvillojë një ndeshje në përurimin e stadiumit të ri. Ndeshja Flamurtari-Sevilja është përcaktuar të luhet në fillim të muajit shtator, ndërsa ndeshja me Barcelonën mendohet të zhvillohet brenda muajit nëntor”, thuhej në komunikatën zyrtare të MTKRS-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›