Rubio ikën nga Tirana, ja prapaskena me Flamurtarin

Hulian Rubio
Zyrtare/ Spanjolli i dha lamtumirën dje klubit bardheblu.
Takim me Gjikën dje në Tiranë, do 13 mijë euro në muaj.
Hulian Rubio largohet zyrtarisht nga Tirana. Për spanjollin nuk kishte më kthim pas e, për rrjedhojë, ai nuk do ta drejtojë më këtë ekip. Theu çdo rekord, duke qëndruar më gjatë se çdo trajner tjetër në krye të stolit bardheblu. Jo vetëm kaq, por arriti që të fitonte tre trofe në harkun kohor të një viti. Mirëpo, as këta nuk kanë mjaftuar. Klubi nuk u tërhoq nga kushtet e veta, por as spanjolli, çka solli krisjen përfundimtare të marrëdhënieve. Si një zotëri i vërtetë, gjë që e ka dëshmuar thuajse gjatë gjithë kohës, dje pasdite para se ekipi të niste stërvitjen, ai shkoi në stadiumin “Selman Stërmasi” për t’u përshëndetur. Ka qenë takimi i lamtumirës, i cili është shoqëruar me duartrokitje.
Flamurtari
Hulian Rubio është pranë skuadrës së Flamurtarit. Flirtet me vlonjatët duket se kanë nisur rreth dy muaj më parë, por vetëm dje ka pasur një takim mes Shpëtim Gjikës dhe trajnerit spanjoll, të sapolarguar nga Tirana. Spanjolli mësohet se ka kërkuar 13 mijë euro rrogë në muaj, një shifër që është cilësuar si e papërballueshme nga Gjika. Megjithatë, mundësitë që ai të firmosë te skuadra vlonjate janë të hapura.
Takimi
Gjika ka shoqëruar dje në Tiranë delegacionin spanjoll që përfaqësonte klubet e Barcelonës dhe Seviljes. Kryetari i Bashkisë së Vlorës ka përfituar nga rasti dhe ka zhvilluar një takim me Rubion, pasi ky i fundit i kishte dhënë lamtumirën skuadrës bardheblu. Takimi ka zgjatur rreth dy orë dhe sinjalet kanë qenë pozitive, ndonëse pretendimet e spanjollit janë dukur tepër të larta.
Afati
Hulian Rubio vazhdon të jetë i dyzuar për t’u kthyer në Spanjë apo për të qëndruar në Shqipëri. Nëse qëndron, atëherë do të firmosë për Flamurtarin. Spanjolli mësohet si i ka kërkuar Gjikës një ditë kohë që të mendohet. Nëse deri sot në mbrëmje nuk do ta presë biletën e avionit për t’u kthyer në Spanjë, atëherë do të firmosë për skuadrën e Flamurtarit. Nëse do të firmosë për vlonjatët, trajneri spanjoll do të ketë edhe përkthyesin që ka pasur në fillim te Tirana, Erjon Karabollin.
Behari
Drejtori teknik i klubi vlonjat, Ardi Behari, mbetet një kandidat potencial. Një nga njerëzit më aktivë të klubit kuqezi, që menaxhoi merkaton e kësaj vere, mund të marrë drejtimin e skuadrës. Ai ka një eksperiencë me skuadrat e të rinjve, por mund t’i besohet roli i rëndësishëm nëse do të shumohen pistat e trajnerëve të huaj. Ndërkohë, nëse dështon pista Rubio, Gjika do të përpiqet të shfrytëzojë ndërprerjen e kampionatit, për ta zgjidhur çështjen e trajnerit.
Tirana, 3 italianë për stolin bardheblu
Pa kaluar pak orë nga largimi zyrtar i Hulian Rubios, kanë dalë emrat e parë për stolin e mbetur bosh të Tiranës. Është më shumë se e qartë që zëvendësuesi i Rubios do të jetë sërish i huaj. Tre italianë janë kandidatë potencialë për pankinën bardheblu. Pierpaolo Bizoli, Xhuzepe Shenca dhe Paolo Tramexani janë emrat e italianëve për pankinën. Tashmë tratativat me ta kanë filluar dhe klubi do të vijojë edhe për disa ditë, për të parë se me cilin prej tyre marrëveshja do të jetë më pranë. Prej ditësh, klubi ka menduar për një trajner të ri, duke qenë se e kishin pak a shumë të qartë se me spanjollin akordi ishte i largët.