E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona kërkon me ngulm Tiago Silvën nga PSG-ja

Tiago Silva vihet në qendër të merkatos katalanase. Barcelona duket se ka vendosur të kryejë një mini-revolucion për skuadrën e sezonit të ardhshëm. Mediat spanjolle raportojnë se Viktor Valdez është shumë pranë largimit me destinacion Monakonë, ndërsa një tjetër lojtar që mund të largohet nga skuadra blaugrana është edhe sulmuesi spanjoll David Vila. 

Totenham, është gati të paguajë klauzolën e tij prej 15 milionë eurosh. Mediat në Angli bëjnë të ditur se Spërsat janë hedhur në sulm edhe për Tiago Alkantaran, për të cilin nevojiten jo më pak se 18 milion euro. 

Nga ana tjetër, drejt finalizimit është edhe shitja përfundimtare e Bojan Kërkiç te Milan për 5 milionë euro dhe ajo e Afelait te Shalke për 3 milionë. Nga këto largime, Barcelona pritet të përfitojë rreth 40 milionë euro, që do të shfrytëzohen për t‘u hedhur në sulm drejt Parisit, ku luan prej një sezoni braziliani Tiago Silva. 

Në rast se nuk arrihet marrëveshja me mbrojtësin e Paris Saint Germain, atëherë do të synohet Markuinjo i Romës apo Kompani i Mançester Sitit. Gjithesesi, ekipi i drejtuar nga Tito Vilanova ka një mision të vështirë në gjetjen e fondeve për të vendosur një kolonë të fortë në qendër të mbrojtjes.
(e.m/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›