Barcelona, makthi që kërcënon të bëhet realitet

Kampionia në fuqi e Evropës, Barcelona, ka fituar dje në Sofje përballë Levskit vendas, me rezultatin 2-0, por përballet tashmë me mundësinë reale të eliminimit që në fazën e grupeve nga Liga e Kampioneve, pasi fitorja e Verder Bremenit në fushën e vet përballë anglezëve të Celsit, me rezultatin minimal 1-0, e ka lënë gjithcka të hapur në grupin A, ku fati i skuadrave që do të vazhdojnë më tej në turin e 16-shes së kësaj veprimtarie dhe ai asaj që do t'i duhet të kënaqet me Kupën UEFA, do të vendoset në 90 minutat e fundit.
Pas ndeshjeve të djeshme, Celsi dhe Verder Bremeni kryesojnë grupin me nga 10 pikë secila, por anglezët janë më të sigurt për shkak të një bilanci më pozitiv në takimet e drejtpërdrejta me gjermanët dhe, në ndeshjen e fundit, presin në fushën e vet bullgarët e Levksit të Sofjes, që nuk kanë arritur të marrin asnjë pikë, kanë shënuar vetëm një gol dhe kanë pësuar plot 13 gola në këto 5 ndeshje në grupe. Ndërkaq, Barcelona, që mban vendin e tretë me 8 pikë, do të ketë epërsinë e fushës së vet në ndeshjen e fundit në grup, atë kundër Verder Bremenit, në "Nou Kamp", por gjermanët gëzojnë epërsinë psikologjike që të jep fakti se edhe një barazim do të mjaftonte për t'i kualifikuar ata në kurriz të kampionëve në fuqi të Evropës.
Në grupin B, Interi ka mposhtur Sportingun e Lisbonës me rezultatin minimal, 1-0, dhe i është bashkangjitur Bajernit të Mynihut si skuadra tjetër e këtij grupi që do të vijojë më tej në turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve. Bavarezët janë ndalur në një barazim 2-2 në Moskë përballë Spartakut vendas, por shkojnë në ndeshjen e fundit, në fushën e vet përballë italianëve të Interit, të ndërgjegjshëm se edhe një barazim në atë takim do të mjaftonte për t'i siguruar kreun e këtij grupi dhe një short të favorshëm në 16-she.
Ndërsa në grupin C, Liverpuli ka triumfuar në duelin për vendin e parë, duke mposhtur në "Anfilld" PSV-në e Eind'hovenit me rezultatin 2-0, ndërsa në betejën për vendin në Kupën UEFA, Bordoja ka hedhur një hap të rëndësishëm, duke mposhtur Gallatasarajin me rezultatin 3-1. Në grupin D, Valencia ka konfirmuar supremacinë e saj, duke mposhtur 2-0 në fushën e vet Olimpiakosin, ndërsa Roma ia ka vështirësuar, pa patur nevojë, jetën vetes, duke u mundur 0-1 në Donjeck përballë Shahtjorit vendas.