Kampionet, 10 "bileta" të mbetura për në 16-she

Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t'u luajtur në fazën e ndeshjeve në grupe të Ligës së së Kampioneve, tabloja e turit pasardhës, atij të 16-shes, po bëhet edhe më e qartë. Gjashtë skuadra e kanë siguruar tashmë emrin e tyre në shortin e këtij turi, ndërsa mbeten ende të panjohur emrat e 10 skuadrave të tjera që do të plotësojnë këtë short. Liverpuli, PSV-ja e Eind'hovenit, Bajerni i Mynihut, Valencia, Lioni dhe Reali i Madridit e kanë siguruar tashmë matematikisht kualifikimin, ndërkohë që, megjithëse në ndonjë grup gjërat mund të vendosen në ndeshjen e fundit, përvoja ka treguar se shumë vendoset në raundin e pestë të ndeshjeve në grupe, që luhen këtë fundjavë. "Standard" ju ofron një pasqyrë të secilit grup, me të gjitha hipotezat e mundshme për kualifikim.
Grupi A
Celsi do të siguronte kreun e grupit edhe me një barazim në fushën e Verder Bremenit, pavarësisht nga rezultatet e tjera të këtij grupi. Por, nëse gjermanët do të ngadhënjenin në Bremen me një epërsi prej dy golash, do të ishin ata që do të merrnin përkohësisht kreun e këtij grupi. Një fitore e Barcelonës në fushën e Levskit të Sofjes do t'i garantonte katallanëve të drejtën për të vendosur kualifikimin në ndeshjen e fundit, por, një barazim, ose një humbje e kampionëve në fuqi të Evropës, e ndërthurur me një fitore të Verder Bremenit kundër Celsit, do t'i shuante përfundimisht shpresat e skuadrës së trajnerit Frenk Rajkard. Ndërkaq, Levski i Sofjes duhet të fitojë, për të mbajtur gjallë atë shpresë të vakët për një vend të tretë në grup.
Grup B
Bajerni i Mynihut, tashmë i kualifikuar, do ta siguronte kreun e grupit, me një fitore në Moskë kundër Spartakut vendas, ndonëse edhe një barazim do të mjaftonte për një gjë të tillë, por vetëm nëse ndeshja tjetër, ajo midis Interit dhe Sportingut të Lisbonës, do të mbyllej gjithashtu në barazim. Ndërkaq, Interi do të kualifikohet nëse merr 3 pikët e plota kundër portugezëve. Spartaku nuk mund të synojë më për dy vendet e para dhe i duhet patjetër fitorja për të shpresuar për vendin e tretë, që i siguron një vend në Kupën UEFA.
Grup C
Duke qenë se edhe Liverpuli, edhe PSV-ja e Eind'hovenit janë kualifikuar për më tej, fitorja për secilën skuadër në sfidën midis tyre në "Anfilld" do t'i jepte asaj vendin e parë në grup. E njëjta gjë gjen zbatim në duelin për vendin në Kupën UEFA, midis francezëve të Bordosë dhe turqve të Gallatasarajit. Ndërsa një barazim në të dyja ndeshjet e së mërkurës, do të linte gjithcka të hapur për të gjitha skuadrat e këtij grupi, ku gjithcka do të vendosej në ndeshjet e fundit.
Grup D
Valencia është tashmë matematikisht në turin e 16-shes dhe mund të sigurojë edhe vendin e parë në këtë grup, me një fitore në fushën e vet përballë Olimpiakosit, por me një rezultat më të mirë sesa ai që Roma do të arrijë në Ukrainë përballë Shahtjorit të Donjeckut. Nëse Valencia mundet dhe Roma fiton, skuadra spanjolle do të gëzojë gjithsesi një epërsi psikologjike për ndeshjen e fundit në grup, atë kundër verdhekuqve në Itali, pasi i kanë mundur romanët me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë midis tyre. Fitorja do të mjaftojë për t'i siguruar Romës kualifikimin, madje, edhe një barazim do të mjaftonte, nëse Olimpiakosi nuk do të arrinte fitore në Spanjë. Grekët duhet të fitojnë patjetër, për të qëndruar në lojë, dhe të shpresojnë që Roma nuk do të arrijë të fitojë kundër Shahtjorit, i cili duhet të marrë patjetër 3 pikët në fushën e vet nëse shpreson të mos dalë duarbosh nga ky grup.
Grup E
Lioni dhe Reali i Madridit do të luftojnë për të siguruar kreun e këtij grupi, kur të dyja skuadrat të përballen me njëra-tjetrën në "Santiago Bernabeu", në kryeqytetin spanjoll. Lioni gëzon epërsi, pasi ka ngadhënjyer 2-0 në fushën e vet përballë Realit, në ndeshjen e parë në grup, dhe skuadrës "Merenges" do t'i duhet të fitojë me një epërsi prej 3 golash, për t'i marrë kreun e renditjes francezëve, të cilëve do t'i mjaftonte gjithsesi edhe një barazim sot. Ndërkaq, rumunët e Steauasë së Bukureshtit do të siguronin vendin e tyre në turin tjetër të Kupës UEFA, nëse fitojnë në fushën e vet kundër miqve të Dinamos së Kievit, madje, do ta ruanin vendin e tretë edhe me një humbje, për sa kohë që ajo nuk do të ishte aq e thellë sa ajo 4-1 që Steaua korri në ndeshjen e parë në grup në Ukrainë.
Grup F
Ndërkohë që fitorja në Gllasgou do t'i mundësonte Mancester Junajtid kreun e këtij grupi, klubit anglez do t'i mjaftonte edhe një barazim, ndërkohë që Sëlltiku mund të kualifikohet me një fitore në fushën e vet dhe një barazim të ndeshjes tjetër, asaj midis Benfikës dhe Kopenhagës. Një fitore e skocezëve të Sëlltikut, që do të ishte më e madhe në epërsi sesa ajo humbje 2-3 që Mancester Junajtid i shkaktoi në ndeshjen e parë në grupe në "Olld Traford", do t'i vendoste ata në një pozicion më komod në garën për kreun e grupit. Një humbje për Benfikës ose për Kopenhagën do t'i shuante shpresat e këtyre skuadrave për të vazhduar më tej, ndërkohë që një efekt të tillë do të kishte edhe një barazim midis tyre, i ndërthurur me fitoren e Sëlltikut kundër "kushërinjve" anglezë të Mancester Junajtid.
Grup G
CSKA-ja e Moskës mund të sigurojë vendin e saj midis dy të parave të këtij grupi me një fitore kundër miqve portugezë të Portos, ndërkohë që, një rezultat i tillë, i ndërthurur me paaftësinë e Arsenalit për të mundur në fushën e vet Hamburgun, do t'i siguronte kampiones së sapokurorëzuar të Rusisë edhe kreun e renditjes së këtij grupi. Kurse, duke qenë se Hamburgu e ka të sigurt tashmë vendin e fundit në grup, cdo kombinim tjetër i rezultateve të ndeshjeve të sotme, do të linte gjithcka të hapur për ndeshjen e fundit në grup, përsa i përket skuadrave që vazhdojnë më tej në Ligën e Kampioneve dhe asaj që do t'i duhet të kënaqet me Kupën UEFA.
Grup H
Milanit i nevojitet vetëm një pikë në Athinë përballë vendasve të AEK-ut për të siguruar kualifikimin, ndërsa 3 pikët e plota do t'i siguronin kuqezinjve të Ancelotit vendin e parë në grup. Nëse grekët e AEK-ut nuk do të arrijnë të fitojnë, atëherë francezët e Lilës do të siguronin kualifikimin me një fitore në fushën e tyre përballë Anderlehtit. Edhe një barazim do t'i mante gjallë aspiratat evropiane të klubit belg, për sa kohë që Milani do t'i mohonte fitoren AEK-ut.