E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona-milan,nuk ka vend per te dy

Përgatiti: Admir Gremi

(20:45) Barcelona – Milan

Formacionet e mundshme:

Barcelona: Valdez, D.Alvesh, Maskerano, Pike, Pujol, Ksavi, Injesta, Buskets, Fabregas, Mesi, A.Sançez. Tr: Guardiola.

Milan: Abiati, Abate, Nesta (Bonera), Mekses, Antonini, Noçerino, Ambrozini, Sedorf, Boateng, Robinjo, Ibrahimoviç. Tr: Alegri.

Barcelona-Milan, shkruhet një faqe e historisë…

Në Kamp Nou katalanasit presin kuqezinjtë në një sfidë që jep biletën për në gjysmëfinalet e Championsit. Gjithçka nis nga barazimi pa gola në ndeshjen e parë

Barcelona dhe Lionel Mesi mund të shkruajnë kapituj të rinj në librat e rekordeve, nëse arrijnë të mposhtin Milanin dhe shkojnë në gjysmëfinalet e Championsit. 7 herë kampionët e Europës ndalën Barçën në një barazim të rrallë 0-0, gjatë takimit të parë çerekfinalist në San Siro, teksa mbrojtja e fortë e tyre i mohoi Mesit shënimin e një goli, falë kordinimit perfekt dhe fatit.

Kampionët në fuqi të Barçës synojnë të bëhen ekipi i parë që fiton dy tituj radhazi në Champions, teksa kualifikimi për të 5-n herë radhazi në gjysmëfinale do të barazonte rekordin e vendosur nga rivalët e tyre të Realit të Madridit, mes 1956-1960.

Lojtari më i mirë i Vitit, Mesi ka nevojë edhe për 1 gol për të thyer rekordin e golave të shënuar brenda 1 sezoni në Champions, 12 gola, të vendosur prej atij vetë dhe Rud van Nistelroit në 2003-shin, por ky gol do të rezultojë gjithashtu edhe i 50-ti në total në këtë kompeticion.

Argjentinasi shënoi golin e tij të 56-të sezonal nga pika e bardhë e 11-metërshit, teksa Barça mposhti 2-0 Bilbaon në kampionat, duke qëndruar 6 pikë larg kryesuesve të La Ligës, Realit të Madridit. Barça nuk ka humbur në shtëpi që prej 2009-s, sa i përket kompeticioneve europiane, teksa Milani duhet ende të sigurojë një fitore në transfertë gjatë këtij sezoni të Championsit, kur kujtojmë se arritën të barazonin 2-2 në Camp Nou në shtator, për ndeshjen e fazës me grupe. Në rast përsëritjeje ditën e sotme, italianët do të kualifikoheshin.

Milani ka lojtarë të mëdhenj, ata janë një ekip i madh dhe do të na vendosin në vështirësi, tha sulmuesi i Barçës, Pedro, për reporterët. Ne mund të dominojmë, por nuk do të kemi kurrë mundësi të shlodhemi, sepse ata mund ta kthejnë ndeshjen në çdo moment.

Barça do të mund të mbështetet të paktën në fushën e tyre pa probleme të Camp Nou-t, pasi janë ankuar zyrtarisht në UEFA për gjendjen e mjerueshme të fushës së San Siro-s, javën e kaluar. Kryesuesit e Serisë A, Milani barazoi 1-1 me Katanian në fundjavë, teksa u irrituan për të dytin gol të anulluar këtë sezon, i cili kalon vijën fatale, këtë herë nga Robinjo.

Braziliani duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe do të jetë sërish titullar, pavarësisht se Aleksandre Pato do të jetë i gatshëm, pas vizitës te një mjek amerikan, për dëmtimin e tij të mistershëm në shpinë. Do të jetë një sfidë tepër e vështirë, por do të shkojmë për të luajtur shanset tona, u shpreh trajneri, Masimiliano Alegri, për reporterët.

Nuk kemi nevojë për stimuj ekstra në këtë takim. Thjesht duhet të zhvillojmë ndeshjen tonë më të mirë. Alesandro Nest u la pushim ndaj Katanias, për shkak të një goditjeje, por 36-vjeçari mund të rikthehet si titullar në Camp Nou, ashtu sikurse Injacio Abate. Edhe Akuilani është rikthyer ndaj Katanias, por Tiago Silva, Mark van Bomel dhe Xhenaro Gatuzo kanë mbetur jashtë. Kristian Abiati pritet të luajë, pavarësisht shqetësimeve në shpinë.

Shifra dhe fakte:

Barcelona – Milan

Bilanci: 12 ndeshje

(+5, =4, -3)

- Barcelona është e pamposhtur në 15 ndeshjet e fundit të Championsit, një rekord për klubin, nga të cilat kanë fituar 12. Herën e fundit që kanë humbur, ka qenë në Londër 2-1 nga Arsenali, gjatë fazës me eliminim direkt të sezonit të kaluar, teksa në përgjithësi ka humbur vetëm 3 takime nga 41 të fundit

- Barcelona është e pamposhtur në 6 ndeshjet e fundit ndaj Milanit, edhe pse barazuan 2-2 me kuqezinjtë në Camp Nou në fazën me grupe të këtij sezoni. Ata kanë humbur vetëm 1 nga 12 ndeshjet e fundit në Champions ndaj kundërshtarëve italianë

- Nëse Barça kualifikohet, do të arrijnë gjysmëfinalet për herë të 5-të radhazi

- Goli i radhës i Lionel Mesit do të jetë i 50-ti në Champions, një numë i arritur më parë prej Raulit, Van Nistelroit dhe Henrisë. Ai gol do të jetë gjithashtu i 13-ti në këtë sezon, një rekord për Championsin

- Milani ka një rekord të lavdërueshëm në Spanjë për Championsin, duke fituar 4 dhe humbur po 4 në 11 ndeshjet e fundit në transfertë

- Milani ka fituar vetëm 1 nga 10 ndeshjet e fundit në transfertë për Champions, por ka barazuar në të 2 udhëtimet e fundit drejt Barcelonës

- Milani arriti gjysmëfinalet e Championsit, 4 herë në 5 sezone gjatë 2003-2007, por që prej atëherë nuk ia ka dalë më mbanë

- Sulmuesi suedez i Milanit, Zllatan Ibrahimoviç, ka shënuar në 5 nga 7 ndeshjet e Championsit, ku ai ka luajtur këtë sezon, përfshi edhe 1 ndaj Barcelonës, ish-klubit të tij

Ish-trajneri i Liverpulit mendon se kuqezinjtë e fillimit të viteve 90 kanë qenë ekipi më i fortë

Benitez: Milani i Sakit, më i fortë se Barça aktuale

Ish-trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, mendon se Barcelona nuk është ekipi më i mirë i të gjitha kohërave, pasi beson se Milani i Arrigo Sakit ka qenë edhe më i mirë sesa ekipi aktual i katalanasve. Barcelona ka fituar 2 trofe të Championsit në 3 vitet e fundit, teksa janë edhe një herë mes favoritëve për ta fituar këtë sezon.

Gjithsesi, Benitez ka mendimin se Milani i fundviteve 80 dhe fillimviteve 90 ishte i një tjetër niveli. A është Barcelona ekipi më i mirë që kam parë në jetën time? Të jem i sinqertë, kam qenë admirues i Milanit, ku luanin Marko van Basten dhe Rud Gulit e shumë lojtarë të tjerë, me Arrigo Sakin trajner, tha Benitez për fifa.com.

Ata ishin shumë të mirë, dominonin gjithçka në atë kohë. Barcelona ka qenë pak a shumë në të njëjtin nivel, por mund të shihni Bajernin e Mynihut, apo Junajtidin e Realin e Madridit që mund ti sfidojnë. Mbaj mend që Reali ka qenë një ekip fantastik në ato kohë dhe nuk mund të bënin asgjë ndaj Milanit, kështu që ka qenë një diferencë e madhe. Por, Barça është një ekip i madh për tu parë.

Aleks Ferguson: Leo Mesi është i frikshëm

Aleks Ferguson është një njohës i mirë i virtyteve të Mesit. Jo më kot ka qenë dy herë në finalen e Championsit. Ndaj dhe sa herë që flet për argjentinasin, ai spushon së lavdëruari. Opinioni i tij i fundit ka qenë mbi të ardhmen e pleshtit, ndaj të cilit është e pamundur të vendosësh kufinj.

Lojtarët rriten dhe arrijnë të maturohen rreth të 25-ave. E kemi parë me Ronaldon, Runin dhe të tjerë, tha ai. Mesi se ka arritur akoma atë moshë. Është e frikshme se çmund të arrijë ky lojtar.

Saviçeviç: Mundësitë janë 60% me 40% për Barçën

Mund të them 60% Barcelona dhe 40% Milan për kalimin e turit, por gjithçka do të varet nga fillimi i ndeshjes, natyrisht uroj që Milani të shënojë i pari. Kështu është shprehur ish-milanisti dhe presidenti aktual i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviç, për sfidën e Camp Nou-t.

Sa i përket Mesit dhe Ibrës: Janë dy golashënuesit më të rëndësishëm, nëse ata të dy shënojnë, ekipet e tyre fitojnë, për këtë arsye do të jetë e rëndësishme që Milani të markojë mirë Mesin

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›