E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona ne prag te ndeshjes se Kupes ndaj Osasunes

Flamuri katalanas është valëvitur diçka më pak këto ditë për shkak të barazimit në derbin me Espanjolin dhe me ekipin që mbeti 5 pikë prapa Realit të Madridit në kampionat, por trajneri Pep Guardiola vazhdon të mendojë në të njëjtën mënyrë.
“Është e vështirë për mua t’i them lojtarëve që të mbrohen në pjesën e parë dhe të sulmojnë në të dytë, apo të bëjnë të kundërtën. Unë nuk di ta bëjë këtë gjë dhe ne nuk e kemi bërë kurrë këtë gjë. Do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen duke kontrolluar fushën dhe rezultatin. Por do të luajmë ashtu si gjithmonë. Nëse shënojmë të parin, duhet të shënojmë të dytin dhe kështu me radhë. Kjo është mënyra jonë dhe rezultatet e tregojnë këtë”, u shpreh Guardiola.
Një shigjetim elegant, Guadiola e bën ndaj rivalit të tij Murinjo, duke u shprehur se nuk ka ndërmend të sulmojë gjyqtarët kur skuadra e tij humbet.
“E gjithë përgjegjësia është e jona. Eksluzivisht e jona. Kur fitojmë, do të thotë se kemi qenë më mirë sesa rivali. Kur humbasim, na takon ta përgëzojmë kundërshtarin. Përsa i përket kampionatit, janë edhe 63 pikë në lojë dhe ne do të luftojmë në çdo ndeshje, sikur ajo të jetë e fundit në kampionat. Ne duhet të jemi gati të përfitojmë nëse Reali gabon. Ky është synimi ynë”, deklaroi ai.
Kështjella e menduar si e pathyeshme është tronditur disi, por përvoja dhe cilësia që ka Barcelona bën që gjithçka të mund të ndryshojë për shumë pak kohë. Natyrisht, vetëm nëse Reali nis të gabojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›