Barcelona, në sulm për kreun

Barcelona do të presë Gironën sot në mbrëmje në një takim që pakkush do ta kishte parashikuar në të tilla pozita. Katalanasit mbajnë vendin e tretë dhe sipër tyre është pikërisht Girona, e cila mund të marrë edhe vendin e parë në rast fitoreje sot, pasi Real Madrid ka vetëm një pikë më tepër. Javën e kaluar, Barcelona fitoi një nga sfidat direkt për titullin, kundër Atletico Madrid, por kritikat për lojën e katalanasve nuk mungojnë. Në shënjestër ka qenë edhe Robert Levandovski, për golat e paktë të shënuar, por polaku ka kundërsulmuar, duke thënë se Barcelona krijon pak raste e rrjedhimisht të tillë janë edhe golat.
Barcelona mund të jetë me të drejtë favorite e takimit të sotëm në stadiumin olimpik, megjithatë vlen të kujtohet që skuadra e trajnerit Michel është befasuese në transfertë, me plot 19 pikë. Vetëm Real Madrid ka fituar më tepër pikë, 20, por me dy ndeshje të luajtura më tepër.
Në javën e kaluar, Girona fitoi 2-1 me Valencian dhe sot do të përpiqet të ruajë diferencën prej katër pikësh me Barcelonën, e cila ka edhe një ndeshje të prapambetur.