Barcelona nuk kopjohet

Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, ka thënë se do të dëshironte të shihte ekipin duke luajtur sikur Barcelona. “Do të më pëlqente të shihja Milanin duke luajtur sikurse Barcelona”, tha Berlusconi për mediet italiane, duke konfirmuar admirimin e tij për lojën e bukur të gjigantit katalan që do të dëshironte ta kopjonte skuadra e tij nga San Siro.
Mirëpo, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka insistuar se është e pamundur të kopjohet stili i lojës së Barcelonës. Strategu i skuadrës kampione të Italisë mendon se Barcelona – kampion i botës për klube, fitues i Ligës së Kampionëve dhe La Ligas nga ky vit – është unike. Por, ai mendon se edhe Milan ka kualitet dhe mund të garojë në mënyrën e vet.
“Është e pamundur të kopjoni Barcelonën. Ne kemi ekip me shumë futbollistë të mirë dhe kampionë të vërtetë. Jemi nivel i lartë në Itali dhe besoj se mund të jemi të tillë edhe në Ligën e Kampionëve, por kemi karakteristika të ndryshme nga Barcelona”, tha Allegri të dielën mbrëma për programin Domenica Sportiva në televizionin italian Rai Due.
Në fakt, Milan dhe Barcelona janë ndeshur dy herë deri më tani gjatë këtij sezoni. Ata ishin në një grup në Ligën e Kampionëve. Takimi i parë në Nou Camp përfundoi në barazim 2-2, ndërsa dueli tjetër në San Siro i takoi Barcelonës, që fitoi me rezultat 3-2.
Strategu i Rossonerëve theksoi se atë që është duke bërë Barcelona, duke dominuar në futbollin evropian dhe më gjerë, është unike dhe nuk mund të kopjohet nga askush tjetër.
“Atë që janë duke bërë ata është unike dhe nuk mund të kopjohet. Milani i Arrigo Sacchit kishte futbollistë me karakteristika të cilat nuk i kishin të tjerët. Secili trajner duhet të luajë në një mënyrë që të nxjerrë maksimumin nga futbollistët që ka në dispozicion”, shtoi ai.
Allegri lavdëroi Sacchin për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe promovimin e tyre në ekipin e parë, kurse beson se skuadra e tij aktuale është në rrugën e duhur për të bërë të njëjtën gjë.
“Milani i Sacchit ishte ekip shumë i fuqishëm, nuk përmbante vetëm emra të mëdhenj, por edhe shumë produkte të reja. Ne jemi duke bërë punë të mrekullueshme në akademinë tonë. Jemi duke promovuar gjithnjë e më tepër të rinj në ekipin e parë”, përfundoi ai.
Të rinj si Simone Ganz, Bryant Crisante dhe Mattia De Sciglio të gjithë kanë debutuar me ekipin senior gjatë këtij sezoni.