Basti i fundit

Mëngjesin e së hënës ka ardhur një tjetër goditje ndaj korrupsionit në futbollin italian. 17 persona janë arrestuar dhe gjenden në paraburgim, të akuzuar për kurdisje të ndeshjeve.
Në mesin e të arrestuarve është ish mesfushori i Atalantas dhe i Kombëtares italiane, Cristiano Doni. Ish kapiteni i Atalantas është aktualisht i dënuar nga drejtësia sportive, pas kurdisjes së të paktën tri ndeshjeve në Serie B sezonin e kaluar.
Operacioni që mban emrin “Basti i fundit” ka nisur në Cremona, ndërsa u vazhdua edhe në qytete të ndryshme në Itali. Mes të arrestuarve ka edhe futbollistë të tjerë, por edhe ish lojtarë si Carlo Gervasoni (Piacenza, aktualisht i dënuar), Filippo Carobbio (Spezia), Zamperini dhe Luigi Sartor (ish-lojtar i Parmës, Vicenzas, Interit dhe Romës) dhe Marco Paolini (Benevento, i dënuar).
Sipas policisë, të arrestuarit janë të akuzuar për kurdisje të ndeshjeve, ndërsa kanë kontakte me banda kriminale nga Singapori dhe Evropa Lindore. “Ky nuk është fundi, është vetëm një pikë e nisjes”, tha prokurori nga Cremona, Roberto di Martino i cili theksoi se njëri nga të dyshuarit ka pranuar se kurdisjet e ndeshjeve kanë vazhduar për më tepër se 10 vite.
“Të shpresojmë se është një pikënisje për pastrimin e lojës së bukur që është futbolli”, shtoi ai. Hetimet janë vazhdimësi e atyre të mëhershmëve të këtij viti nga autoritetet e futbollit, që u përcollën me dënime të futbollistëve të ndryshëm, përfshirë Donin i cili është pezulluar nga futbolli për tri vite e gjysmë nga Komisioni Disiplinor i Federatës Italiane të Futbollit.
Atalanta, që u promovua në Serie A në fund të sezonit të kaluar - është dënuar me gjashtë pikë. Doni ka theksuar se është i pafajshëm. Ndeshjet e Atalantas në Serie B po ashtu ishin në mesin e atyre të dyshimtave.
Dyshime për kurdisje edhe në Serie A
Sipas medieve italiane, ekzistojnë dyshime për kurdisje edhe të ndeshjeve nga Serie A dhe kanë të bëjnë me klubet tashmë të rëna nga kategoria; Bari, Brescia e Sampdoria. Ndeshjet nën dyshim thuhet se janë Brescia-Bari (rezultati 2-0, 6 shkurt 2011), Brescia-Lecce (2-2, 27 shkurt 2011) dhe Napoli-Sampdoria (4-0, 30 janar 2011).