E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani De Biazi firmos kontraten si trajneri i ri i Shqiperise

Energjik, i shkathët, i sigurt. Ky mund të jetë me tre fjalë portreti i Xhani De Biazit, trajnerit të ri të Shqipërisë që u prezantua sot në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në një mjedis ku shpesh herë qeshën të gjithë, italiani bëri një premtim të thjeshtë, jo kualifikim, por punë deri në vetëmohim për të përmirësuar kuqezinjtë.
“Më falni që nuk e flas gjuhën tuaj. E thënë me dy fjalë, kjo detyrë është një krenari dhe një përgjegjësi e madhe për mua. Synimi im është që të kemi një organizim më të madh në të gjithë nivelet, nga ekipi kombëtar, tek ekipet zinxhir. Premtimi që bëj sot është se do të jap gjithçka kam nga vetja ime për të arritur objektivat, për të përmirësuar skuadrën. Në karrierën time nuk kam drejtuar kurrë Interin, Milanin apo Juventusin. Kam drejtuar ekipe të vegjël të cilët i kam ndihmuar për t’u rritur”, vlerësoi De Biazit.
Presidenti Duka gjatë gjithë kohës u ndje mirë me De Biazin në krah, veçse si një punëdhënës i mirë nuk ngurroi të kërkonte diçka konkrete, ndonëse e thënë në mënyrë jo ultimative.
Firma u hodh dhe tashmë, FSHF-ja dhe De Biazi kanë nisur “muajin e mjaltit”, muaj që do të zgjasë të paktën 72 ditë deri në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. Shpresojmë që italiani simpatik të jetë po kaq mbresëlënës edhe në drejtimin e ekipit tonë kombëtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›