Barcelona s’di të mbrohet

Barcelona, skuadër që në stinoret e fundit përveç sulmit efikas është njohur edhe për mbrojtje të sigurt, ka humbur diçka nga elementi defanziv.
Gjiganti katalan ka pranuar 21 gola në 17 ndeshje zyrtare të zhvilluara deri më tani gjatë këtij stinori dhe ka mbajtur portën të paprekur në vetëm katër duele: Valencia (1-0) dhe Granada (2-0) në La Liga, Benfica (0-2 ) në Ligën e Kampionëve dhe Alaves (0-3) në Copa del Rey.
Skuadra e Tito Vilanovës deri më tani gjatë këtij sezoni ka festuar kryesisht falë paraqitjeve të mira nga sulmuesit Lionel Messi dhe David Villa, i cili pas rikuperimit nga lëndimi i rëndë ka gjetur sërish instinktin e golave.
Mesfushorët po ashtu kanë përqindje të mirë të shënimeve, që nuk kanë munguar as nga mbrojtësit e krahut, gjithnjë në dispozicion për të ndihmuar edhe repartin ofanziv.
Fitoret fshehin dobësinë, por sa herë që skuadra humb, ato shpalosen në rend të parë.
Deri më tani gjatë këtij edicioni ka pasur shumë ndeshje gjatë së cilave Barcelona është dashur të përmbysë disavantazhin, përfshirë edhe fitore në çastet e fundit. Osasuna, Spartak, Granada, Sevilla dhe Celtic janë disa prej shembujve që konfirmojnë dobësinë e mbrojtjes së gjigantit katalan.
Kurse, shembulli më tronditës është ai i fitores Deportivo-Barcelona (4-5), kur skuadra e Vilanovës i lejoi Deportivos të rikthehej në lojë pas epërsisë 0-3. Në fund përfundoi duke mbrojtur me ngulm epërsinë pas autogolit nga Jordi Alba.
Problemet kryesore që janë përcjellë me telashet e repartit defanziv të Barcelonës janë lëndimet e dy qendërmbrojtësve kryesorë Carles Puyol dhe Gerard Pique, të cilët kanë munguar në një numër të madh ndeshjesh.
Mesfushori Javier Mascherano është duke u paraqitur pothuajse vazhdimisht në vijën e fundit dhe shpeshherë ka bartur barrën e gjithë repartit. Autogola, gola të pranuara nga ndërprerjet janë edhe mungesë e përqendrimit, përveç gabimeve individuale.