E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS-së: Bojkot zgjedhjeve të pjesshme

Votuan kundër vetëm 4 anëtarë. Asambleja Kombëtare miratoi dje edhe axhendën politike të PS-së

TIRANË - Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, si organi më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve, ka ratifikuar dje mes debatesh bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme parlamentare të 15 nëntorit. Me vendimmarrjen e saj, ajo i ka hapur rrugë edhe reformimit të kësaj force jo vetëm në aspektin strukturor, por edhe në atë programor dhe statutor, proces ky që pritet të mbyllet gjatë muajit prill, ku dhe pritet të mblidhet kongresi i kësaj force për të miratuar ndryshimet përkatëse. "Asambleja miratoi propozimin e bërë nga Kryesia e PSSH-së, që Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit 2009, për 4 komuna dhe 1 minibashki, si dhe miratoi axhendën politike të subjektit tonë politik", - tha kreu i Asamblesë, Gramoz Ruçi, për mediat pas përfundimit të mbledhjes.

Mbledhja
Partia Socialiste ka mbledhur dje mbledhjen e dytë të saj që pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ku ka diskutuar për një rend të ngjeshur çështjesh, duke filluar që nga qëndrimi për zgjedhjet e pjesshme, zgjedhjet në parti, riorganizimi i partisë në vendet e huaja, ku jetojnë shqiptarë, dhe për të përfunduar me ndryshimet në program dhe statut. Mbledhja e djeshme, ndryshe nga paraardhësja, ka shënuar dhe një ndryshim në përbërjen e saj, pasi kësaj radhe nuk kanë marrë pjesë të gjithë ish-deputetët e sesionit të shkuar parlamentar, që nuk mundën dot të rizgjidheshin. Pas fjalës së kryetarit, Edi Rama, mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat dhe në të është diskutuar gjatë për pikën e parë të rendit të ditës, atë që ka të bëjë me qëndrimin për zgjedhjet e 15 nëntorit, ku natyrisht grupi i anëtarëve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe, të drejtuar nga Ben Blushi janë shprehur kundra propozimit të kryesisë për të mos marrë pjesë në to.

Kjo ka sjellë dhe një acarim të situatës në Asamble, ku natyrisht nuk kanë munguar as debatet e forta mes anëtarëve të këtij forumi. Kështu, shumica e anëtarëve të Asamblesë kanë mbështetur idenë e bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme duke argumentuar se Berisha dhe mazhoranca e tij, me refuzimin që i ka bërë kërkesave të PS-së për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare, nuk jep garanci as për zgjedhjet në këto pesë njësi vendore. Ndërsa pala tjetër, e reduktuar në vetëm disa numra, si Ben Blushi, Arben Malaj, Ylli Manjani apo edhe Artan Lame (Kastriot Islami nuk ka folur në mbledhje) kanë refuzuar fort një bojkot të dytë, duke iu përmbajtur qëndrimit të tyre se kështu po i falen pesë bashki dhe komuna PD-së. Në fund ka vendosur votimi, ku propozimi për bojkotin e zgjedhjeve ka marrë vetëm 4 vota kundër.

Axhenda
Asambleja Kombëtare ka miratuar dje dhe axhendën politike të PS-së për 6 muajt në vazhdim, ku në thelb është kryerja e një procesi të thellë reformues, qoftë sa i përket strukturave të saj nëpërmjet rinovimit të Statutit, ashtu edhe programit politik. Me shumicë votash anëtarët e Asamblesë kanë miratuar projektin e paraqitur nga kryesia, i cili për realizimin e këtyre objektivave ka përcaktuar një sërë prioritetesh, ku do të fokusohet angazhimi politik, institucional dhe organizativ, duke filluar së pari me konsolidimin e aksionit opozitar për plotësimin e kushteve, që mundësojnë hetimin e zgjedhjeve.

Lidhur me këtë objektiv, PS-ja ka parashikuar që të vijojë aksionin e vet politik të veprimit qytetar përmes protestave (protesta e radhës është vendosur që të zhvillohet në Shkodër), si dhe nëpërmjet iniciativave ligjore, që do të paraqiten për këtë qëllim. Sipas axhendës së miratuar, do të bëhet dhe organizimi institucional-strukturor i grupit parlamentar, duke nisur së pari me implementimin e dokumenteve bazë të veprimit të tij siç është rregullorja e re dhe strategjia e veprimit për muajt në vazhdim. Në kushtet e bojkotit, grupi socialist do të ketë një organizim të posaçëm strukturor, ku do të formohen komisionet paralele parlamentare, të cilat do të bëjnë oponencën e specializuar të çdo problematike dhe çdo nisme ligjore të qeverisë. Për të arritur modernizimin organizativ dhe elektoral të strukturave, selia rozë, ka miratuar hapjen e një procesi të gjerë debati e konsultimi me përfshirjen e të gjithë anëtarësisë, përfaqësuesit e rinisë dhe të gruas, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Në këtë kuadër, është vendosur që brenda periudhës 20 tetor - 20 dhjetor 2009 të zhvillohen në të gjithë vendin mbledhjet për zgjedhjet e reja në organizatat socialiste, me anë të të cilave synohet të arrihet identifikimi, analizimi dhe përmirësimi i problematikave dhe mangësive të konstatuara në organizimin edhe veprimin politik të PS-së, kryesisht gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit.

Gjatë kësaj faze, do të zgjidhen kryetarët dhe sekretarët e organizatave të partisë, si dhe do të bëhet e mundur verifikimi i anëtarësisë efektive të kësaj force. Mbledhjet që do të zhvillohen në çdo organizatë do të shërbejnë edhe për thithjen apo tërheqjen e mendimeve dhe propozimeve konkrete nga anëtarët dhe simpatizantët e partisë për përmirësimin e programit politik dhe statutit të partisë. Në funksion të këtij procesi reformues, PS-ja ka ngritur dhe dy grupe pune me nga 15 anëtarë, të cilët janë figura kryesore dhe të spikatura politike të kësaj force. Sipas dokumenteve të miratuara dje, i gjithë ky proces duhet të përfundojë në muajin prill, kur PS-ja do të mbajë kongresin e saj, për të miratuar ndryshimet në program dhe statut.

Debatet në Asamblenë Kombëtare
Ylli Manjani: Partia jonë ka kontribuar me pëlqimin që ka dhënë për ndryshimet për Kushtetutën, apo edhe Ligjin për Prokurorinë, që në vend të bëhen padrejtësi, pasi i dhamë mundësi ministrit të Drejtësisë të ndërhyjë në Prokurori, duke i dhënë për rrjedhojë mundësi Mediut që të shpëtojë për atë që bëri në Gërdec. U tha atëherë se për këto gjëra kishim mbështetjen e ndërkombëtarëve, por kjo ishte një gënjeshtër. Kjo është skandaloze dhe unë nuk do të rresht së foluri për këtë. Shqiptarët, ashtu si ne këtu e dinë mirë se partia e Ramës dhe e Berishës janë si dy pika uji. Ne duhet të bëjmë një zgjedhje. Partia po drejtohet në mënyrë autoritare dhe të gjitha vendimmarrjet e saj, përfshi edhe atë të kësaj mbledhjeje të sotme, po tregojnë se këtu bëhet ç'të vendosë më parë njëshi, tamam si në PD. Kushtetuta përcakton të drejtën e nismave ligjore me 20 mijë firma, por kjo nuk është për PS-në, e cila ka në Kuvend 65 kokrra, shumica e të cilëve po tregojnë se janë pa tru. Pra, është për ato organizata politike që s'kanë potencë në Kuvend.

Manjani: Ditët e fundit vendosët që të çoni në Gjykatën Kushtetuese një marrëveshje skandaloze, siç është ajo e kufijve me Greqinë, por unë them se ajo më shumë se një çështje juridike është një çështje politike dhe kërkon një trajtim të tillë. S'mund ta çoni për gjykim në gjykatën e Saliut. Po tha ajo, që është e ligjshme ç'do t'ju mbetet juve.

Gramoz Ruçi: Fole sa deshe për shumë gjëra, por për temën që po trajtojmë s'na the gjë. Nuk është normale që të ofendojmë forumin dhe të gjithë anëtarët. Fjalë të tilla, "pa tru" nuk mund të t'i lejoj t'i thuash këtu.

Sadri Abazi: Kemi qenë bashkë në fushatë në qarkun e Dibrës dhe ti e di mirë se Rama nuk është si Berisha. Madje ti as mund ta krahasosh atë me Berishën, sepse jo shumë larg por vetëm tre - katër muaj më parë, gjatë fushatës ke shprehur vlerësim krejt ndryshe për të. Ne nuk mund të mbyllim sytë dhe të themi që s'ka vjedhje vote, të dy e kemi parë edhe në Dibër, ku në një kuti dilte se kishim mbështetje të konsiderueshme dhe në kutinë pasardhëse votat tona përgjysmoheshin, ose zeroheshin. Prandaj, të hapen kutitë Ylli, se edhe ti do të kesh fituar.

Artan Lame: Dua të them diçka, por që nuk dua që nesër të dalë në media.

Andis Harasani: Ne e dimë se mbledhja është me dyer të mbyllura, pse një kamera është lejuar.

Ruçi: Kamera është e PS-së, dhe ka qenë në mbledhjet e PS-së gjithmonë.

Artan Lame: Zotërinj, kë po gënjejmë, njeri - tjetrin?

Ruçi: Mos provoko sallën, të lutem!

Lame: Kjo mbledhje ashtu si edhe mbledhjet e shkuara tregon qartë gjendjen se ku jemi, pasi bëjmë sikur marrim vendime, ndërkohë që të gjithë e dimë se vendimet i merr ai lart (Rama). Thënë pastër fare, ne vijmë kot këtu, pasi Asambleja është kthyer në një teatër që nuk ia vlen ta shohësh më dhe ku ju nuk thoni atë që mendoni.

Ruçi: Thuaj atë që ke për të thënë për rendin e diskutimeve të sotme dhe mos na u merr me muhabete kafenesh.

Lame: Ju të gjithë e dini se për bojkotin ka vendosur kryetari, por këtu nuk ua mban ta thoni dhe këtu bëni teatër.

Ilir Beqja: Zoti Ruçi, meqë Tani e konsideron këtë mbledhje teatër, unë them se ai vetë po përpiqet që të bëjë teatër. Unë e shfrytëzoj kohën time dhe përgatitem për angazhimet e mia, ndaj më mirë po dal sa të mbarojë teatri që ai po jep dhe po kthehem kur të fillojnë diskutimet

Arben Malaj: Mes nesh është krijuar një frymë e keqe, ku mbizotëron diversioni. Nëse do të ecim kështu, nuk do të bëjmë gjë tjetër, veçse do të rëndojmë situatën dhe do të dëmtojmë veten tonë, duke reduktuar radhët tona.
Viktor Doda: Një deputet, anëtar kryesie ka ikur dhe ka krijuar një parti tjetër, ndaj Asambleja duhet të investohej sot për këtë debat, pasi kështu po i jepni mundësi çdokujt të ndërmarrë një hap të tillë

Sajmir Tahiri: Për mua qëndrimi që po mbajmë karshi produktit të zgjedhjeve parlamentare është i qartë dhe unë jam i bindur për të. Por ajo që duhet të bëjmë ne sot është që së pari të mbajmë qëndrim ndaj Shpëtim Idrizit për largimin e tij nga grupi ynë dhe së dyti të përqendrojmë luftën tonë politike te Mediu dhe Gërdeci.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›