E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë vjet më parë, një disko mbyllet me vendim gjykate

Pronarët e diskos "San Paolo" u hodhën në gjyq nga një banor, për prishje të qetësisë, shkaktuar nga niveli i lartë i zhurmave gjatë aktivitetit të diskos

Gjashtë vjet më parë, një nga qytetarët e kryeqytetit, banor në sheshin "Willson" fitoi gjyqin ndaj pronarëve të diskos "San Paolo", për shkak të zhurmave të larta që ajo shkaktonte nga muzika e lartë. Në atë kohë akoma nuk ishte miratuar ligji për "Vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis" dhe personi që paditi pronarët e diskos përdori për bazë ligjore disa nene të Kodit të Civil të Republikës së Shqipërisë. Konkretisht në nenin 159 të Kodit Civil që është në fuqi, është e përcaktuar se: "Pronari është i lirë në përdorimin e sendit, pa dëmtuar të drejtat e personave të tjerë dhe brenda kufijve që caktohen nga ligji ose nga zakonet e mira.

Ai nuk mund t'u krijojë fqinjëve shqetësime të tilla si zhurma, dridhje, futje të tymit, nxehtësive, avujve ose përhapje të tjera të ngjashme, të pengojë gëzimin e pronave të tyre, duke ndryshuar rrjedhat, prurjet ose cilësinë e ujërave që rrjedhin në tokën e tij ose të ujërave nëntokësorë, si dhe të përdorë ujërat që komunikojnë lirisht me ato të tokës së tjetrit, përveç kur këto shqetësime nuk kalojnë shkallën e zakonshme të tyre. Pronari gjatë ushtrimit të të drejtave të tij, detyrohet të marrë masa për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit për rreth".

Ndërsa në nenin 302 që u mor për bazë nga Gjykata gjatë shqyrtimit të çështjes thuhet: "Pronari ka të drejtë të kërkojë nga cilido që e cenon në pronësinë e tij, por pa u zhveshur nga posedimi, të pushojë cenimin dhe të mos përsërisë këtë në të ardhmen, dhe kur është rasti të shpërblejë dëmet që mund t'i ketë shkaktuar". Gjykata mori një vendim në favor të banorit që kishte depozituar padinë civile në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, duke detyruar diskon që të ndërpresë aktivitetin e saj. Si provë gjykata mori parasysh dhe një audiogramë e lëshuar nga klinika ORL e Spitalit "Nënë Tereza", kë vërtetohej se paditësi kishte dëmtime të dëgjimit nga zhurmat që shkaktonte diskoja pranë banesës së tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›