Bardheblutë, nesër kontratat e para
Edhe pse më pak se një muaj na ndan nga fillimi i sezonit të ri, Tirana, klubi më titulluar i kampionatit shqiptar, nuk i ka mbyllur ende kontratat me futbollistët. Kjo vonesë ka ardhur për shkak të situatës së paqartë në klubin bardheblu, ku nuk është siguruar 100% e garancisë financiare për sezonin e ardhshëm. Shefi i klubit, Rauf Dimraj, bëri të ditur se donatorja Shefikat Ngjela, edhe pse është afruar sërish si sponsore, nuk ka derdhur shumën prej 200 milionë lekësh, të përcaktuar në kontratën që e lidh me klubin. Donatori Refik Halili është vetofruar, që ta paguajë ai të gjithë shumën e nevojshme, por kjo ende nuk është zyrtare. Gjithsesi klubi bëri të ditur se ditën e martë (nesër) do të fillohet me nënshkrimin e kontratave të reja për disa nga futbollistët. Më të privilegjuarit për të vendosur firmën të parët janë titullarët. Sina, Nallabani, Ahmataj dhe Hysa nuk kanë nënshkruar ende. Por falë paraqitjes së mirë, të bërë në Europa League, ku bardheblutë kaluan turin e parë, por u eliminuan në turin e dytë nga holandezët e Utrehtit, kanë bindur trajnerin Sulejman Starova.
#