Cana rrëmben elozhet e shokëve dhe specialistëve
Pas vetëm pak javësh në radhët e skuadrës së tij të re Gallatasarait, Lorik Cana ka mundur të rrëmbejë komplimentet e para të shokëve të skuadrës, por edhe të specialistëve të futbollit turk. Një gjë të tillë e transmetojnë shkrimet e të përditshmeve turke. I pari që nuk ka kursyer elozhet për shqiptarin ishte kapiteni i gjigandit të futbollit turk, Ardan Turan. “Cana është një lojtar shumë i mirë dhe me shumë grintë. Ai lufton për çdo top. Luan me shpirt dhe besoj se do ta ndihmojë Gallatasarain”. Në Turqi, Cana konsiderohet nga specialistët e futbollit si një lojtar impresionues. është luftarak dhe kjo i shërben agresivitetit të skuadrës, e cila përveçse mendon të sulmojë, punon shumë edhe në prishjen e aksioneve të kundërshtarëve. Po ashtu, ai i jep shumë ndihmesë skuadrës së tij edhe në manovrën sulmuese, shkruante dje shtypi turk.
#