Benitez sfidon Murinjon në Europë
Trashëgimia që i ka lënë Zhoze Murinjo është e rëndë, por Rafa Benitez nuk ka frikë: i ka thënë Interit po, sepse është i bindur se mund të ndërtojë një skuadër, që luan mirë dhe mbi të gjitha, vazhdon të fitojë. Para nisjes për në SHBA, trajneri i ri u është përgjigjur pyetjeve të tifozëve në “Inter Channel” dhe komplimenti i parë është për ata: “Shumë të mirë, sepse kanë mbështetur kampionët e tyre. Në çdo lëvizje, kishte duartrokitje. Ishte shumë e bukur”. Një dashuri, që Benitez dëshiron ta paguajë me punën e tij. “E kam thënë më parë, se do të më pëlqente, që skuadra të luante mirë, sepse do të ishte më e lehtë të fitonim, vazhdon ai. Ne do ta provojmë, edhe pse nuk është e lehtë, sepse në Itali, të gjitha skuadrat janë faktikisht të forta. Ndryshimi i mënyrës së lojës, në bazë të kundërshtarit? Prioritet është gjithnjë skuadra jonë, më pas edhe mund të ndryshohet ndonjë gjë”, saktëson ish-trajneri i Liverpulit, që qarkullimin e topit e ka një metodë të tij (“madje nuk është vetëm topi, por dhe goli”). Nisja për në SHBA i mundëson të njohë më mirë skuadrën. Por një ide të parë e ka tashmë. “Kam gjetur lojtarë, që kanë besim te vetja, dëshirojnë të vazhdojë të fitojnë, thotë ai. Për sa i përket stërvitjeve, shikohet se ata po mundohen të ambientohen me metodat e reja. “Bëjmë 80% të punës me topin, 20% pa top dhe ky 20% është i ndryshëm me atë, të cilën ishin ambientuar, por më kanë thënë se për ta, nuk është problem. Unë mendoj të fitoj dhe për ta bërë këtë, flas gjithnjë me lojtarët”, siguron Benitez, i cili duke kujtuar karrierën e tij si futbollist, pranon se e shikon veten disi te Kambiaso. “Flisja shumë në fushë, isha shumë i kujdesshëm taktikisht, jepja urdhra, tregon ai. Pra mendoni se Kambiaso mund të bëhet një trajner i madh? Me siguri, sepse i pëlqen futbolli dhe i pëlqen të mësojë, por edhe të japë mësim. Gjithsesi është më mirë të jesh futbollist se sa trajner”. Ai shkëlqeu në pankinën e Valencias dhe të Liverpulit, por zemra e tij është për Realin e Madridit, ku nisi të trajnojë. “Nëse mund të stërvisësh skuadrën tënde, ku ke qenë për shumë vite, sigurisht që është speciale, por është edhe më e vështirë, sepse njerëzit presin më shumë, komenton ai. Por në një pikë është edhe më e lehtë, sepse e njeh mentalitetin, ambientin, tifozët. Në çdo rast, unë jam shumë i kënaqur që jam këtu dhe shpresoj të qëndroj për shumë vite, sepse do të thotë që kemi fituar”. Dhe nëse në Champions League, në short, do të përballeshin Inter-Real Madrid? Unë mendoj, se nëse do të përballemi me Realin e Madridit, do ishte më mirë në finale...”, është përgjigjja e trajnerit spanjoll. Benitez bën edhe krahasimin mes Champions dhe kampionatit. “Mendoj se duhet të ndahen. Një gjë është kampionati, La Liga, Premier League, në të cilat skuadrat investojnë më shumë dhe është më e lehtë të fitojnë, pas nëntë muajsh punë. Ndërsa tjetër gjë është Europa. Varet shumë nga momenti në të cilin luhen ndeshjet. Prandaj është e vërtetë, që ata që derdhin shumë para, mund të fitojnë, por në Champions League, mund të mos mjaftojë”.
#