E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bardhi: Nismëtarët për Kuvendin nuk kanë 1/4 e firmave! Ata po tallen me demokratët!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha të enjten se në zyrën protokollare të partisë nuk është dorëzuar asnjë firmë e vetme për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Duke folur për mediat ai tha se PD është institucion legal dhe se çdo kërkesë, aq më tepër e shumicës së demokratëve duhet depozituar në zyrën e protokollit. “Për fat të keq dhe dua të shpreh keqardhjen time se tallja me anëtarët e PD vijon edhe sot. Dua të konfirmoj edhe njëherë që PD është institucion, respekti ndaj institucioneve është primare në çdo demokraci. Ne nuk jemi një organizatë që veprojmë në ilegalitet. Ne, nuk kemi halle apo probleme sa i përket zbatimit të ligjit. E në funksionimin tonë të brendshëm kemi detyrimin për të zbatuar rregullat e brendshme të PD. Statutin e Partisë Demokratike. Dua të konfirmoj për çdo demokrat se në PD nuk ka ardhur deri në këtë momente asnjë kërkesë, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar” tha zoti Bardhi. “Nëse i kanë firmat, t’i depozitojnë në protokollin e PD-së. Çdo institucion i partisë ka përgjegjësinë për të respektuar vullnetin e demokratëve. Besoj se jeni dhe ju dëshmitarë, që deri në këtë moment në PD, në zyrën e protokollit ka punonjës administrata e PD. Nuk jemi institucion në ilegalitet. Nuk kemi asnjë hall me ligjin. I vetmi hall i demokratëve është largimi një orë e më parë i regjimit të Edi Ramës” tha zoti Bardhi. “Me kë tallen këta? Me kë tallen? Apo do të verifikojnë firmat e njëri-tjetrit. Kjo parti është institucion dhe duhet të respektohet. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-drejtues të lartë të kësaj partie. Por blofin me demokratët, këta të fundit nuk ia kanë borxh askujt”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›