PD, grupi pro-Berishës i përgjigjet Bashës: Shko te zyra e Palokës nëse do t’i shohësh firmat!

Marrëdhëniet mes dy grupeve kundërshtare në PD, përkrahësit e kreut aktual Lulzim Basha dhe ata të ish kreut të PD Sali Berisha, duket se po acarohen ndjeshëm. Në fokus është mbledhja e 4300 firmave për mbajtjen e Këshillit Kombëtar.
Treshja Gent Strazimiri, Flamur Noka dhe Arben Ristani kanë dalë në një konferencë për mediat, për të reagur rreth akuzave të Lulzim Bashës se Berisha nuk i ka mbledhur firmat.
Strazimiri tha se kush është kurioz, mund të shkojë t’i verifikojë firmat tek zyra e Edi Palokës. Ky i fundit, sipas Strazimirit, është numri dy i PD-së për aq kohë sa mban postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar.
Ish-deputeti i PD shtoi se puçisti në këtë rast është Lulzim Basha që po tenton të mos i bindet vendimit të delegatëve për mbledhjen e Kuvendit.
Ndërkohë, Flamur Noka tha se po tentojnë t’i japin një mundësi Lulzim Bashës që të kthehet në binarët e demokracisë. Sipas tij, Basha është në panik. “Zoti Basha është palë. Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi është palë e tij. E parashikon statuti të drejtën e vetëmbledhjes. Mos prisni që shumica të paraqitet në rresht para pakicës. Ne për transparencë ndaj demokratëve i dërguam firmat të Këshilli Kombëtar, i vetmi institucion i konstituar i Partisë Demokratike” – tha Noka.
Më herët Lulzim Basha u shpreh se Berisha luajti blofin me firmat e mbledhura.