E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bardhi: Shqipëria, probleme me mbrojtjen e të dhënave personale

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi shprehu sot shqetësimin lidhur me problematikën në mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri.

Bardhi mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga “Westminster Foundation for Democracy”, me mbështetjen e Ambasadës britanike në Tiranë, me temë: “Mbrojtja e të dhënave personale nga partitë politike”.

Sipas tij, “raportet paraprake dhe finale të OSBE/ODIHR, vërejtën si një nga problematikat më të mprehta të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021, rrjedhjen e të dhënave personale dhe sensitive të qytetarëve, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë së tyre”.

“I njëjti shqetësim u pasqyrua edhe në progresraportin e Komisionit Evropian për vitin 2021, i cili kërkonte nga autoritetet shqiptare ndërmarrjen e masave urgjente për të garantuar sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Organizata vendase dhe të huaja, ashtu si edhe media ndërkombëtare, e konsideruan skandal të rëndë dhe shkelje të standardeve minimale të privatësisë publikimin gjerësisht të të dhënave sensitive, përfshirë bindjet politike të zgjedhësve”, shtoi Bardhi.

Sipas Bardhit, “Partia Socialiste, mbledhjen, përpunimin, shpërndarjen, vjedhjen dhe abuzimin me të dhënat personale e sensitive e ktheu në një mekanizëm politik dhe elektoral”.

“Patronazhistët dhe aktivistët, për të cilët kryeministri flet me krenari dhe i falënderon sa herë i jepet rasti, janë ilustrimi më i mirë i problematikës së madhe që ne kemi me të dhënat personale në Shqipëri. Si çdo gjë tjetër publike, edhe të dhënat shtetërore të qytetarëve, vidhen për qëllime pushteti”, theksoi ai.

Gjatë tryezës: tryezën e organizuar nga “Westminster Foundation for Democracy” 1 nga 6

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›