Kumbaro: Rekord aplikimesh, 2000 certifikata të nënshkruara për kategorizimin e strukturave akomoduese

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka nënshkruar sot certifikatën e 2000-të për kategorizimin e strukturave akomoduese të hoteleve, resorteve apo bujtinave të ndryshme në vend që kanë aplikuar për këtë certifikatë. Sipas Kumbaros, ky është një numër rekord certifikimesh të tilla, që vjen si rezultat i punës së përbashkët mes MTM-së dhe sektorit privat.
Ministrja Kumbaro tha se “këto certifikata do të ndihmojnë në formalizimin e tregut të strukturave akomoduese; Për përfitimin e lehtësive fiskale nga TVSH-ja e zbritur në 6% për të gjitha subjektet që certifikohen si struktura akomoduese pranë MTM; Për të pasur mundësinë të gjitha subjektet që disponojnë struktura akomoduese në afërsi të vijës bregdetare, të aplikojnë për menaxhimin e stacioneve të plazhit, që me ndryshimet ligjore për vitin 2025 do të lejohet të administrohen vetëm nga strukturat e hotelerisë, ndërsa pjesa tjetër do të jenë publike dhe do të administrohen nga bashkitë dhe padyshim për një ofertë serioze të mikpritjes që rrit standardet e markës për bizneset, por çon përpara edhe brand-in e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar”.
Kumbaro deklaroi se janë dy mijë subjekte që kanë struktura akomoduese si hotele, bujtina, resorte, apartamente, një gamë e shtuar sipas ligjit të ri të turizmit, të cilat mund të certifikohen dhe të plotësojnë të gjitha standardet e njohura nga Ministria e Turizmit. “Këto certifikata janë një garanci për klientelën, për tregun, dhe seriozitet për subjektet. Vetëm bizneset, strukturat që kanë një hotel të kategorizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit mund të aplikojnë dhe menaxhojnë një stacion plazhi.
Pjesa tjetër e plazheve do të jenë publike dhe do të administrohen nga bashkitë, ndërsa do të kujdesemi ne që t’i mbajmë pastër. Kjo është një certifikatë që ju jep mundësinë të jeni të formalizuar, jo vetëm të konfirmoni standardet, por të përfitoni edhe nga lehtësirat fiskale. Me një certifikatë të tillë një hotel nuk ka nevojë të paguajë 20% TVSH, por vetëm 6%. Jemi të gjithë gati për këtë sezon që po vazhdon të jetë i suksesshëm edhe në dimër, por po përgatitemi edhe për 2025-ën”, përfundon ministrja.
/a.f/r.e/