Bardhi: S’ka zhvillim normal të seancave plenare deri sa opozitës t’i respektohen të drejtat

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk do të lejojnë zhvillimin normal të seancave plenare, duke akuzuar për mosrespektim të të drejtave të opozitës. Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve, Bardhi tha se deputetëve të opozitës nuk po i respektohet e drejta kushtetuese dhe nuk po i lejohet të bëjnë detyrën e tyre.
“Do të duhet të respektohet e drejta kushtetuese e deputetëve të opozitës për llogaridhënie ndaj qeverisë. Kontrolli i veprimtarisë së qeverisë është funksion kushtetues i Kuvendit që është i detyrueshëm për t’u aplikuar, ku kërkohet nga 35 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Ka të bëjë me vijimin apo përmbushjen e një detyrimi që rrjedh nga disa raporte të OSBE që lidhen me realizimin e reformës zgjedhore. Opozita e ka shpallur prioritet të punës sonë në këtë sesion parlamentar reformën zgjedhore, për këtë arsye kemi bërë propozimet tona për përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar dhe maxhoranca duhet të respektojë të drejtën e opozitës që të përfaqësohen në Komisionin e Posaçëm parlamentar me ata kolegë deputetë që ne dëshirojmë”, u shpreh ai.
Deputeti demokrat akuzoi kryetaren e Parlamentit, Lindita Nikolla për ndërhyrje në punët e brendshme të Grupit Parlamentar të PD-së.
“Çështje edhe më flagrante ka të bëjë me një tallje apo ndërhyrje të vazhdueshme që kryetarja e Parlamentit bën në punët e brendshme të Grupit Parlamentar të PD. Si i rregullojmë ne organizimin tonë të brendshëm, kjo nuk është çështje as e Edi Ramës, as e kukullës së tij që e ka vënë kryetare të Kuvendit. Shpreh vendosmërinë e Grupit Parlamentar për të mos lejuar veprimtarinë normale të Parlamentit deri sa opozita të ketë mundësi të funksionojë në mënyrë normale, t’i respektohen të drejtat e saj të lejohet të bëjë punën e saj. Maxhoranca ta harrojë që do kryej veprimtari normale”, deklaroi Bardhi.
Konferenca e Kryetarëve nisi me tensione, pasi deputetë e opozitës tentuan të mos lejonin mbledhjen e planifikuar për në orën 10:00. Për pasojë, mbledhja u shty në orën 13:00.
/rtsh.al/