Bardhi dhe Tabaku takim me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës: Opozita po bën përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet

Dy deputetë të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, janë takuar sot me bashkëraporterët e Këshillit të Evropës për Shqipërinë.
Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit. Në raportin e vitit të kaluar, sipas njoftimit, u theksua se konflikti në PD po dëmton interesin e vendit, për shkak se opozita ishte jo funksionale dhe nuk po luante rolin e saj të padiskutueshëm në një demokraci.
Në mesazhin e shpërndarë për takimin, Gazment Bardhi thekson se ka ndarë shqetësimin për nevojën e forcimit të luftës kundër korrupsionit, përmbylljen e Reformës Zgjedhore me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, forcimin e mekanizmave parlamentar për llogaridhënien nga Qeveria, dhe iniciativën e ndërmarrë për të bërë funksionale opozitën në Parlament.
“Mirëpritëm sot raporterët për Shqipërinë në Këshillin e Evropës, z. Asim Mollazada dhe z. Jonut Stroe me të cilët ndave shqetësimin mbi nevojën e forcimit të luftës kundër korrupsionit, përmbylljen e Reformës Zgjedhore me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe forcimin e mekanizmave parlamentar për llogaridhënien nga Qeveria. I falënderuam për qëndrimin e tyre në raportin pararendës ku theksohej se të gjitha demokracitë kanë nevojë për një opozitë që funksionon mirë dhe që siguron sistemin e duhur të kontrolleve dhe balancave të pushtetit.”, shkruan Bardhi.
Sipas tij, në përgjigje të thirrjes së tyre në raportin e Tetorit 2022 që Partia Demokratike të kapërcejë mosmarrëveshjet e brendshme dhe të luajë rolin e saj të rëndësishëm në qeverisjen e vendit, ku të përfshihen të gjitha palët, ka informuar për përpjekjet për të bërë opozitën funksionale në Parlament dhe për të kapërcyer konfliktin e brendshëm partiak, përmes ndërtimit të një agjende të përbashkët opozitare.
/rtsh.al/