Bardhi i reagon Peleshit: Rezistenca, i vetmi mjet që i ka mbetur deputetëve të opozitës

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se “rezistenca dhe mosnënshtrimi është i vetmi mjet që i ka mbetur deputetëve të opozitës”.
Bardhi reagoi pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi, i cili u shpreh se opozita tejkaloi sot çdo kufi duke cenuar fizikisht deputeten Milva Ekonomi.
“Urdhërojnë Gardën të dhunojë opozitën dhe keqpërdorin deputetet e PS-së për të provokuar kolegët e tyre që janë në të drejtën e vet për të mos u penguar pa ligj të ushtrojnë mandatin që i kanë dhënë qytetarët, dhe më pas thonë se duhet dialog. Me dhunuesit nuk mund të ketë dialog, me antiligjin nuk mund të bisedosh, me provokuesit nuk mund të arsyetosh”, tha Bardhi.
Ai apeloi deputetët e mazhorancës, që të mos keqpërdoren kundër deputetëve të opozitës dhe të mos i nënshtrohen, sipas tij, metodave autoritare të Edi Ramës kundër opozitës.
/m.m/