Bardhi mblodhi KK, Basha takon përkrahësit: Do të ndërtoj alternativën më të mirë të PD-së dhe të djathtës shqiptare

Paralelisht me mbledhjen online të Këshillit Kombëtar të thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, Lulzim Basha, i cili synon rikthimin në krye të PD-së me 29 korrik, ka zhvilluar një takim me të rinj dhe anëtarë të PD.
Ai, me këtë rast, ka dhënë edhe një mesazh për demokratët, dy ditë përpara votimit, ku ka premtuar një rrugëtim dhe organizim të ri, që ka për qëllim ringritjen dhe shndërrimin e PD-së “në alternativën që duan dhe presin shqiptarët”.
Sipas tij, Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira dhe pas çdo sfide i’a kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë.
“Ndonëse jemi përballur me një agresion të pandërprerë, nuk jemi mposhtur, as dorëzuar, por kemi qëndruar e qëndrojmë të vendosur për kauzat tona dhe më të vetëdijshëm se kurrë për vlerat që na bashkojnë e misionin që na thërret.
Ajo që është e rëndësishme për sot dhe të ardhmen e PD është qëndrimi i palëkundur për interesin kombëtar dhe standartet euroatlantike të demokracisë, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së ndershme në politikë, ekonomi dhe kudo.”- thekson Basha në mesazhin e tij.
Ai ka premtuar një lidhje të re e të pastër me të djathtën historike, me njerëzit e lirë dhe demokratë që ishin radha e parë e persekutimit komunist, me kontribuesit pas viteve ’90, me të gjithë anëtarët e partisë, qytetarët, intelektualët, gratë dhe të rinjtë, sipërmarrësit, fermerët dhe grupet e interesit.
“Ne do të ndërtojmë alternativën më të mirë të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare. Aleanca Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për ta çliruar ekonominë dhe për t’i çuar përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar:
Listat e hapura; Kufizimin e mandateve; Votën e diasporës;Vetting-un në politikë. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste. Shqipëria i ka jetike ndryshimet në sistemin politik që mundësojnë kontrollin dhe balancën e pushteteve, transparencën dhe llogaridhënien para publikut.“- thekson Basha.
Për të arritur këto objektiva, sipas tij, duhet të ndryshojmë formulimin e mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit; numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti; heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë; zgjedhjen e drejpërdrejtë të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve.
/rtsh.al/