E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhyl Londo: Unë lidhje me Sigurimin? Kush të dijë le ta thotë!

TIRANE - Unë nuk e di të kem pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, por në rast se ai apo ndonjë tjetër ka apo e di këtë gjë, le ta dëshmojë, nuk ka asnjë problem për mua". Kështu iu është përgjigjur në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" Bardhyl Londo, akuzave ndaj tij se ka pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit. Akuza u bë një javë më parë, po në "GSH", nga shkrimtari Hysen Sinani. Debati që po ndjek librin me kujtime të Londos, "Jeta që na dhanë", ka nxitur kërshërinë mbi mënyrën e funksionimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, që mblidhte së bashku elitën e shoqërisë, po ku nuk kanë munguar as persekutimet e dënimet, që ende sot mbeten të pazbardhura dhe i qëndrojnë si hije institucionit të dikurshëm. Në këtë rrëfim, ai flet për miqtë e tij, bisedat, për vendet e mundshme ku mund të jenë arkivat e Lidhjes së Shkrimtarëve, dhe jep një këshillë për të gjithë: Kërkoni falje që heshtët duke mos i mbrojtur kolegët!
Sapo ka dalë në qarkullim libri juaj me kumtime "Jeta që na dhanë". Kur keni filluar ta shkruani atë?
Libri ka filluar të shkruhet shumë kohë përpara, kur edhe kam filluar të mbledh materialet për to. Është për një periudhë kohore tepër të gjatë, mbi 20-vjeçare. Ato janë përpunuar dhe janë mbledhur në mendjen, kujtesën dhe ndërgjegjen time. Procesi i shkrimit nuk ka qenë i gjatë, jo më shumë se 1 vit e gjysmë. Them se nuk ka aq rëndësi, procesi mekanik i të shkruarit se sa kohë ato jetojnë me ty. Në rast se ka mbresa të forta, në rast se ka gjëra që nuk duhet t'i lësh për vete, por duhet t'ua tregosh dhe të tjerëve.
Pse e keni titulluar "Jeta që na dhanë"?
Titulli është shumë i qartë, sepse përmbledh një periudhë kohore që arrin deri më 1990-1991. Ajo nuk është jeta që njerëzit donin të bënin, është jeta që të tjerët ua përcaktuan të bëjnë: duhet bërë kjo, ajo, kështu, ashtu. Të gjithë ëndërronin të kishin një jetë tjetër: me apo pa ndërgjegje, ata e meritonin jetën tjetër, po nuk e patën dot.
A ka qenë një ditar i juaji ky?
Po, pa dyshim, por shumë i seleksionuar. Unë kam marrë ato gjëra që më duhen mua, ato personazhe që më duhen mua për të ardhur te kjo që ka dalë.
Në cilin vit fillojnë kujtimet?
Ngjarjet e treguara aty u takojnë viteve 1960, por aty janë vetëm fillimet. Ato intensifikohen në vitet 1980.
Gjatë këtyre ditëve janë botuar pjesë nga libri, ku flitet për shkrimtarë të njohur. Si i keni pasur marrëdhëniet me Agollin dhe Kadarenë?
Ngjarjet që kam përshkruar, i kam jetuar që të gjitha. Kam futur në libër vetëm ato ngjarje, për vërtetësinë e të cilave jam i bindur. Natyrisht që mund të kenë ndodhur edhe shumë gjëra të tjera, por unë nuk i di. Nuk janë vetëm personazhe letrare, por edhe politike. Unë shkruaj për atë gjë që di mirë dhe jam i sigurt, nuk mund të shkruaj për gjëra të tjera. Në këtë kuptim, ajo është historia që tregoj unë. Ky nuk është libër historik, por për ato ngjarje që përshkruaj, jam i sigurt që kanë ndodhur ashtu.
Marrëdhëniet e mia me shkrimtarët kanë qenë të mira. Me Agollin unë kam pasur lidhje direkte, sepse ka qenë kryetar i Lidhjes, ndërsa unë kam qenë tek gazeta "Drita". Më 1986 isha i komanduar kryeredaktor i kësaj gazete, ndërsa më 1990 u emërova si i tillë. Kuptohet që lidhjet e mia me të ishin të ngushta dhe që diskutoja shumë gjëra, merrja dhe mendimin e tij për shumë gjëra. Plus kësaj, kemi pasur lidhje miqësore. Me Ismailin, kuptohet që takoheshim gati çdo ditë, shkurt, ose nganjëherë edhe gjatë. Diskutonim për çështjet e përditshme, edhe ato të politikës. Atëherë, kafja e shkrimtarëve ishte e shkrimtarëve dhe aty takoheshim me të gjithë.
Në libër i kërkoni ndjesë Kadaresë...
Po, po jo vetëm atij. E ndjeja të nevojshme, për atë dhe për të tjerët, si Koço Kosta. Janë shkrimtarë që u dënuan, dhe nuk e kërkoj ndjesën sepse kam ndonjë përgjegjësi direkte për dënimin e tyre, por se duke i parë ngjarjet tani, vetë mënyra se si ato kanë rrjedhur, fakti që ne kemi heshtur, kur nuk duhej të heshtnim por duhej të flisnim, është e kuptueshme që gjithsecili duhet t'i kërkojë ndjesë njëri-tjetrit. Është një ndjesë që vjen pas disa vitesh refleksioni, për mënyrën se si ne jemi sjellë në atë kohë. Por, ndryshe nga ç'themi sot, asokohe nuk qe e lehtë të heshtje apo të mos heshtje. Sot, pas 20-30 vitesh, duhet kërkuar ndjesë, e kjo nuk vlen vetëm për mua, por për të gjithë.
E pse nuk mund të flisnin shkrimtarët?
Nuk qe e lehtë, mund të pëshpërisnin, mund të bluanin me veten e tyre, mund të mendonin. Por, si mund të flisje në atë kohë? Në rast se doje të bëje harakirin, të merrje veten në qafë, mund të flisje, por nuk mund të flisje. Tani nuk mund të tregohemi trima pas 20-30 vitesh, por gjithsesi një lloj brerje ndërgjegjeje duhet ta kemi të gjithë, sepse nuk kemi folur ashtu si duhej të flisnim.
Po tani, si i keni marrëdhëniet me ta?
Tani është kohë tjetër dhe logjikë tjetër. Njerëzit në atë kohë mblidheshin të gjithë te Lidhja, tani nuk bashkohen më si atëherë. Tirana ishte e vogël, komuniteti ishte i vogël, doje s'doje do të vije në Lidhje. Është e vështirë të bashkohesh dhe organizmi i shkrimtarëve është krejt tjetër gjë. Ne kemi një PEN Club që ende nuk e kemi organizuar si duhet.
Për ata që dënoheshin merrej një opinion nga kolegët e Lidhjes, apo jo?
Ky ka qenë një mekanizëm që s'ka pasur të bëjë fare me Lidhjen; ka qenë një mekanizëm që e kishte në dorë Ministria e Brendshme dhe nuk luanin asnjë rol as Lidhja dhe asnjë organizatë tjetër, sepse po të merrej vendimi atje, s'kishte ç'të të bënte më njeri.
Po ekspertizat?
Ekspertizat janë gjë tjetër. Merreshin për çdo fushë; nëse dënohej një nga ekonomia merrej një ekspert ekonomie që të justifikonte dënimin, e njëjta gjë për të gjitha profesionet. Nëse flitej për një shkrimtar, atëherë do merrej ose dikush nga Lidhja ose nga Shtëpia Botuese. Ata që i kanë bërë, kuptohet që mbajnë përgjegjësi dhe duhet të kërkojnë ndjesë për atë punë. Me të vërtetë ashtu ishte koha, por nuk mund të justifikohesh me këtë, sepse ka që e kanë bërë dhe ka që nuk e kanë bërë.
Pse nuk dalin të flasin?
Ka disa që kanë kërkuar ndjesë, por si fenomen masiv jo. Unë di vetëm ata që kanë dalë në media.
Ende sot, Lidhja e Shkrimtarëve vijon të ngjallë kuriozitet në publik. Si funksiononte ajo? A kishte spiunë, siç thuhet se ka pasur në institucione të tjera?
Po t'i besosh logjikës së asaj kohe, duhet të ketë pasur, por unë nuk e di që të them ka qenë ky apo ky. Di vetëm ato që janë botuar pas 1990-ës.
Ju, a ruheshit në Lidhje?
Normalisht, të gjithë kishin frikë të flisnin. Mateshin 100 herë, duhej të zgjidhje shokun e mikun që të bëje edhe një shaka të thjeshtë. Ishte një realitet i vërtetë, por jo vetëm për Lidhjen, por për të gjithë shqiptarët pavarësisht se ku punonin. Derisa kjo u kthye në paranojë, sepse censura të kalon në autocensurë. Edhe kur mendoje, druheshe.
Para se të botonit këto kujtimet, ju keni biseduar me Zija Çelën, dhe ai iu ka këshilluar të flisni, ju ka thënë: dëshmohu. Pse?
Nuk ka asgjë të habitshme këtu. Mënyra se si është shkruar biseda ime me Zija Çelën është truk letrar. "Dëshmohu", do të thotë që të them ato që po them. Njeriu duhet të dëshmojë për ato që jeton e ato që mendon. Dëshmia, nuk është vetëm ajo që jepet në gjyq, të mos keqkuptohemi. Duhet të dëshmosh se çfarë ke bërë ti, çfarë ka bërë njëri apo tjetri. Historia bëhet përmes rrëfimeve të njerëzve për kohët e ndryshme.
Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Hysen Sinani ju ka akuzuar publikisht se keni pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit. Si i përgjigjeni kësaj akuze?
Unë nuk e di të kem pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit, por në rast se ai apo ndonjë tjetër ka apo e di këtë gjë, le ta dëshmojë, nuk ka asnjë problem për mua. Nuk dua të merrem me këtë gjë, nuk dua t'iu përgjigjem këtyre akuzave. Kushdo që ka diçka për të thënë, le ta thotë. Nuk kam frikë fare, se jam i qetë me veten time. Nuk ka nevojë t'iu përgjigjem të tjerëve, mund t'iu përgjigjem atyre që mendoj unë se duhet t'iu përgjigjem, por jo kujtdo.
Po sa i takon shkrirjes së Lidhjes së Shkrimtarëve?
Sa isha unë e kam mbajtur gjallë Lidhjen, deri në vitin 2008 kur më duhej të ikja se më mbaroi legjislatura. Çfarë u bë më tej, le të përgjigjen ata që nuk e mbajtën dot. Unë e mbajta, edhe dy të tjerët që erdhën pas meje, Limoz Dizdari e Xhevahir Spahiu.
Keni dijeni se ku gjenden arkivat e Lidhjes?
Kjo është shumë qesharake. E para e punës, unë nuk e di se për çfarë bëhet fjalë. Unë jam aq i pazoti sa nuk gjej dot librezën time të punës. E dyta, unë e mora Lidhjen në vitin 1992, ndërsa nga 1990-1992 ishte një "qeveri tranzitore në Lidhje" dhe kur e kam marrë unë s'kam gjetur asgjë. Se për çfarë lloj dokumentesh bëhet fjalë, unë nuk e di, edhe pse e kam dëgjuar shpesh këtë.
Bëhet fjalë për procesverbalet e plenumeve të Lidhjes...
Procesverbalet e plenumeve të Lidhjes ishin legale, se bëheshin në sallë të hapur dhe pothuajse janë botuar në gazeta dhe në libra. Aty kishte dy lloj procesverbalesh: më të rëndësishmet ishin të organizatës së Partisë. Dhe me sa di unë, se s'kam qenë anëtar partie ndonjëherë, procesverbalet shkonin në Komitetin e Partisë ose në Komitetin Qendror, atje duhen kërkuar. Procesverbalet e mbledhjes së Kryesisë, nuk e di se ku shkonin, sepse diskutimet kryesore bëheshin në Organizatën e Partisë. Ato duhet të jenë ose në Arkivin Qendror të Shtetit, ose varet ku i ka çuar Komiteti i Partisë.
Çfarë duhej të kishin bërë ndryshe në gazetën "Drita", meqë e keni drejtuar atë?
Tani është kollaj të flasësh, pas 20-30 vitesh. Nuk mund të diskutohen tani, mund të jenë shumë gjëra ndryshe. Megjithatë gazeta "Drita" është e botuar dhe e dokumentuar, dhe mund të shohësh për të gjetur ç'kemi bërë, nëse e kemi bërë mirë ose keq. Nuk është çështje e mbyllur, është çështje e hapur.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›