Perfundon rikonstruksioni i cerdhes nr 35 ne njesine bashkiake nr 7
Me një investim prej 11.6 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës u ka mundësuar 80 fëmijëve të njësisë bashkiake nr.7, të kenë kushte shumë të mira, në çerdhen numër 35. Rikonstruksioni total i bërë nga Bashkia e Tiranës ka bërë një riorganizim të ambienteve të brendshme të çerdhes, duke krijuar ambiente argëtimi, të fjetjes, kuzhinës, lavanderisë, dhomën e mjekut, të psikologut etj. Në ambientet e jashtme është vendosur një kënd lojrash, është rehabilituar i gjithë ambienti, duke u kthyer në një sipërfaqe të gjelbër. Kryebashkiaku Lulzim Basha, i pranishëm në përfundimin e këtyre punimeve ka shprehur vendosmërinë e tij, për të ndërtuar të paktën dhe 40 çerdhe në katër vitet e ardhshme.
“Dua të përsëris edhe një herë vendosmërinë tonë, për të proceduar me përfundimin e rikualifikimit të çerdheve të kryeqytetit dhe shtimin e numrit të çerdheve, për një kërkesë që është akoma 40% më e lartë se sa kapacitetet e Bashkisë së Tiranës, në përputhje edhe me planin urbanistik i cili parashikon ndërtimin e afro 40 çerdheve të tjera në 4 vitet e ardhshme. Është një proces normal, pjesë e angazhimit tonë, të buxhetuar me fondet e Bashkisë së Tiranës por është gjithashtu një proces i cili nuk do të mungojë në asnjë lagje të qytetit, sipas nevojës, me ndërtim çerdhesh të reja apo rikonstruksion të çerdheve ekzistuese. Ky është një proces, tashmë transparent dhe i mirëplanifikuar, si rezultat i planit urbanistik dhe i buxhetit të Bashkisë së Tiranës” – u shpreh Basha.
Kryebashkiaku Basha ka theksuar se punimet që përfundojnë dhe që kanë nisur muaj më parë janë rezultat i konsultimit me qytetarët dhe kërkesave të tyre, nuk janë as rastësore e aq më pak elektorale.
“Ajo çka është e re pra, është një mirëplanifikim dhe një vënie tërësisht në shërbim të kapaciteteve të Bashkisë së Tiranës, për qytetarët e Tiranës. Për këtë arsye, e gjej absurde ankthin që ka kapur ndonjë deputet të Tiranës i cili frikësohet nga ritmi i punimeve të Bashkisë së Tiranës, sepse në fakt duhet të gëzohet në qoftë se parësor ka interesin e qytetit të Tiranës, qytetarëve të Tiranës dhe jo ankthet elektorale. U them deputetëve të Tiranës apo kandidatëve për deputetë, atyre që nuk janë gëzuar nga këto transformime, të qetësohen, të relaksohen, sikundër e siguroj z. Rama, se të gjithë komplekset që ka për punët që nuk arriti të kryente në 11 vite dhe që Bashkia e Tiranës po i kryen tani, nuk mund t’i mbulojë duke sulmuar Bashkinë e Tiranës dhe punën e saj por nuk është kurrë vonë për të reflektuar, për të mësuar, pse jo dhe për të kërkuar ndjesë për punën e munguar, në kurriz të qytetit të Tiranës dhe në favor të konfliktit politik” – theksoi kreu i Bashkisë, Lulzim Basha.