E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, përfaqësim diplomatik dhe konsullor për Shqipërinë



ROMË - Më 9 dhe 10 janar 2011, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi për një vizitë zyrtare në Romë, me ftesë të homologut të tij italian, Franko Fratini. Dy ministrat nënshkruan një marrëveshje dypalëshe mbi çështje të përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë, por kanë diskutuar edhe për axhendën dypalëshe, për bashkëpunimin në fushën politike, ekonomike dhe për çështje të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zoti Haxhinasto dha një intervistë për portalin “Shqiptari i Italisë”, të cilën po e botojmë në numrin e sotëm me shkurtime.

Sapo keni nënshkruar një marrëveshje me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini, mbi përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë nëpër botë. A mund të na tregoni më hollësisht për çfarë është fjala?
Marrëveshja ka qenë vetëm një aspekt i vizitës sime zyrtare. Ishte një marrëveshje për bashkëpunimin dhe përfaqësimin diplomatik dhe konsullor, që konsiston në ofrimin nga pala italiane e infrastrukturave të ambasadave të tyre në vende të ndryshme të botës, ku të mund të qëndrojnë edhe diplomatë shqiptarë në brendësi të këtyre ambasadave, me qëllim që të përfaqësojnë Republikën e Shqipërisë në ato vende ku ne nuk kemi përfaqësim diplomatik. Një marrëveshje e tillë është bërë edhe me Turqinë.

Për cilat vende ka lindur një nevojë e tillë?

Marrëveshja fillimisht bëhet në parim. Pastaj vendet e veçanta përcaktohen rast pas rasti. Me Turqinë, për shembull, kemi një marrëveshje për Azerbajxhanin, ku do të përfaqësohemi me një diplomat të tonin në Ambasadën Turke. Ndërsa përsa i përket marrëveshjes me Italinë, po shqyrtojmë disa shtete si Libia, Etiopia dhe Australia ndoshta në të ardhmen.

Si ka lindur nevoja për një marrëveshje të tillë?

Këto janë marrëveshje të realizuara edhe nga shtete të tjera. Është një metodë bashkëpunimi në fushën diplomatike dhe konsullore. Sigurisht që Shqipëria, me resurset që disponon, e ka të pamundur të jetë e pranishme në të gjitha shtetet e botës duke pasur parasysh koston e lartë të përfaqësimit diplomatik. Mendojmë se këto forma e rrisin praninë tonë në shumë shtete të botës me një kosto minimale përfaqësimi.

Cilat kanë qenë temat që keni prekur me homologun tuaj, përveç kësaj marrëveshjeje?

Mendoj se edhe pjesa tjetër e takimit me zotin Fratini ka qenë shumë e rëndësishme. Jemi përpjekur dhe kemi arritur të identifikojmë fusha konkrete të bashkëpunimit, me qëllim që marrëdhëniet e mira që kemi, partneritetin strategjik mes dy vendeve tona, ta konkretizojmë më tej në fusha me interes të përbashkët. Me ministrin Fratini folëm fillimisht për axhendën dypalëshe, për bashkëpunimin në shumë fusha; si në politikë, në kuadrin e procesit të integrimit. Në ekonomi, kryesisht për energjinë, infrastrukturën dhe bujqësinë. Por kemi folur edhe për bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit perëndimor ku Italia ka mbështetur procesin e integrimit të vendeve me njëri tjetrin por edhe të të gjithë rajonit me Bashkimin Europian. Kemi folur gjithashtu edhe për bashkëpunim në kuadër të organizatave shumëpalëshe si kombet e bashkuara OSBE dhe të tjera. Me Italinë ne ndajmë të njëjtin qëndrim mbi kontributet në rritje që duhet të japë secili vend për çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe Shqipëria është një kontribuuese e rëndësishme edhe në përpjekjet e NATO-s në Afganistan për të ndërtuar një shtet demokratik e të qëndrueshëm edhe atje.

Bisedoi: Keti Biçoku

Mbledhja
Berisha: “Maji, afati i fundit për realizimin e 12 kritereve të BE-së”

Kryeministri Sali Berisha u ka lënë afat ministrave të kabinetit qeveritar deri në fund të muajit maj për të përmbushur 12 kriteret e vendosura nga BE-ja për të marrë statusin e vendit kandidat nga Shqipëria. Këtë deklaratë, kreu i kabinetit qeveritar e bëri gjatë mbrëmjes së djeshme, në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit.
Në këtë mbledhje u analizua realizimi i masave të parashikuara në progres-raportin e KE-së për vitin 2009 dhe detyrimet e parashikuara në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për vitin 2010. Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje u përcaktuan dhe detyrimet për vitin 2011, të cilat rrjedhin nga Raporti Analitik i Komisionit Europian për vitin 2010 dhe dokumente të tjera strategjike. Kryeministri Berisha u shpreh se stadi aktual kërkon që analizat e tjera të bëhen mbi bazën e kapitujve të “Acquive”, dhe kjo të jetë hera e fundit që trajtohet në këtë mënyrë, pasi procesi merr një karakter tjetër analize. Gjatë mbledhjes, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri një paraqitje të realizimit në total, si dhe nga çdo institucion, të detyrimeve. Bazuar në këtë analizë, realizimi i detyrimeve në total për vitin 2010 është: prej 935 masave, janë realizuar 411 masa, ose 44%, 82 masa, ose 8% janë projekte afatgjata dhe 442 masa, ose 48% janë duke u përfunduar. Referuar këtyre të dhënave, ministrja Bregu u shpreh se pritshmëria për të mbyllur këto masa të realizimit që janë në proces është e madhe. Përsa u përket masave që ende nuk janë realizuar, të cilat përbëjnë vetëm 8% të totalit, ministrja e Integrimit theksoi se kanë të bëjnë edhe me ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament. Gjithashtu, ajo kërkoi që të gjitha institucionet të përcaktojnë një kalendar konkret kohor, realist dhe të zbatueshëm për ndjekjen e detyrimeve që vijnë nga analiza e opinionit të vitit 2010 dhe për plotësimin e atyre që janë cilësuar 12 kritere të reja. Kryeministri u shpreh se kjo shumicë aktualisht nuk ka 3/5 në Parlament, por është shumicë dhe mbi këtë bazë mund të ndërmarrë çdo vendim, çdo ligj të thjeshtë, për të plotësuar e për t’iu afruar sa më shumë standardit.
Duke iu referuar një prej kritereve të BE-së që është heqja e imunitetit kryeministri u shpreh se Parlamenti do të zbatojë modelin gjerman dhe se ky ndryshim mund të inkuadrohet në rregulloren e Parlamentit dhe t’i jepet vlerë ligjore deklaratës personale të deputetit.

13 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›