Bariç nis aventurën shqiptare me dy dështime

Një nga legjendat e futbollit kroat dhe tepër i respektuar si trajner në Austri, trajneri i tre pankinave të ndryshme kombëtare: Austri (1990-1991), Kroaci (2002-2004) dhe Shqipëri (nga 2 korrik 2006), dhe i 12 ekipeve të ndryshme rreth e qark Europës, kroati 74-vjecar Oto Baric, nuk mund ta kishte menduar kurrë se pas firms së hedhur në një kontratë me vlerë 300 mijë euro me Federatën Shqiptare të Futbollit do ta fillonte punën e tij të re dhe ndoshta dhe të fundit si trajner i një skuadre futbolli me DY DËSHTIME në vendin e "shqiponjave".
Dështimi i parë
Ndoshta edhe Baric po "mëson" një refleks dhjetëraherë të përsëritur të parardhësve të tijë të huaj: italianit Dosena dhe gjermanit Brigel. Të dy trajnerët, si Dosena që e braktisi përfaqësuesen shqiptare dhe ekipin e parë të tij në rolin e një trajneri të parë pas vetëm dy ndeshjesh, duke e njohur shumë pak realitetin e futbollit shqiptar. Edhe gjermani Brigel, mbajtësi i tetë rekordeve absolute me përfaqësuesen shqiptare, rrallë mund ta kishe të pranishëm në stadiumet shqiptare. Para 48 orësh, dy nga ekipet më të mira shqiptare, kampionia Elbasani dhe 16-herë kampionia e Shqipërisë, Dinamo, realizuan takimet e para ndërkombëtare në Ligën e Kampioneve dhe Kupën UEFA. Edhe pse në rradhët e tyre militojnë disa lojtarë apo kandidatë të përfaqësueses (Vrapi, Bylykbashi, Xhafa, Lika), kroati (ndoshta me lejën e zakonshme pas rolit si komentator për televizionin austriak) nuk mundi të gjente "biletën" e avionit për të ardhur në Shqipëri. Në Kroaci, ditën e enjte, 13-herë fituesja e Kupës së Shqipërisë, Tirana, që në gjirin e saj ka gjashtë kandidatë për të veshur fanelën kuqezi, që nga Hidi, Sina, Duro, Salihi, Bulku, u përball me ekipin e atdheut të Baric, Varteks i Varazhdinit, por aksush nuk ka një informacion nëse trajneri ynë kombëtar ka qenë i pranishëm.
Dështimi i dytë
Sektori i Ekipeve Kombëtare në FSHF para disa ditësh hartuan një listë me 32 lojtarët potencialë për të veshur e riveshur fanelën. Një listë e lënë nga Brigel & Ros. Edhe pse u fol se mund të organizohej një ndeshje miqësore në "zborin ala Brigel", asnjë nga ekipet më të mira (m e të drejtë) nuk iu përgjigj ftesës për të dërguar lojtarët kandidatë, njëherësh edhe më të mirët e klubeve në shërbim të Baric. Një dështim i paralajmëruar e kaluar më shumë si një shaka mediatike. Sidoqoftë, në kërkim të miqësores së munguar trajneri më përvojë Baric, i mbiquajtur edhe "Oto Maksimum", zor se do të ndonjëherë në maksimumin e tij nga FSHF-ja. Gjithsesi në pritje të zhvillimit të miqësores së parë nën "erën Baric", Shqipëria ngjiti 20 vende njëherësh në Botë, duke u renditur e 65-ta, (një rekord falë sistemit të ri të përllogaritjeve të FIFA-s). Në 16 gusht, vetëm 16 ditë para zhvillimit të ndeshjes së parë zyrtare për fushatën kualifikuese të Euro 2008 kundër Bjellorusisë (më 2 shtator), FSHF-ja është në kërkim të një miqësore. Vendet kandidate janë nga tre kontinente: nga Europa, Turqia dhe Lituania; nga Afrika, Tunizia dhe Egjipti si dhe nga Amerika, Shtetet e Bashkuara.
Sipas FSHF-së, do të jetë vetë trajneri Baric i cili do të vendosë lidhur me kundërshtarin e mundshëm për të testuar skuadrën në prag të ndeshjes së parë zyrtare.
Një gjë është ende e panjohur, a do të qendrojë Oto edhe tre ditë më shumë për të ndjekur një nga ndeshjet e javës së parë të kampionatit të ri shqiptar që fillon më 19 gusht, apo bileta e tij është prerë me datë të caktuar kthimi.
Franc Hoxha