Barnat e rimbursueshme, lista mund të tkurret
Specialistët: Vazhdon diskutimi për barnat
ISKSH-ja kërkon fond shtesë për barnat e kushtueshme
Barna tejet të kushtueshme, të cilat për herë të parë këtë vit futen në listën e rimbursimit mund të ngushtojnë numrin në total të barnave që ISKSH-ja do të rimbursojë për 2009-n. Burime pranë Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, institucioni që merret me hartimin e listës së barnave të rimbursueshme, sqarojnë se futja e disa medikamenteve të reja ka sjellë shpenzime të mëdha, për pasojë, mund të ketë heqje të disa barnave të tjera.
Lista
Vit pas viti lista e barnave të rimbursueshme pëson ndryshime. Specialistët që merren me hartimin e barnave të rimbursueshme, para se të vendosin përfundimisht për listën, marrin parasysh disa faktorë, duke u nisur që nga nevojat e tregut dhe kategoritë në nevojë. Mësohet nga ISKSH-ja se deri tani komisioni hartues i listës është në etapën e propozimeve dhe diskutimeve të medikamenteve. Pasi të jenë shqyrtuar të gjitha propozimet, komisioni do të marrë një vendim konkret për barnat që do të jenë përfundimisht në listën e barnave të riumbursueshme. Ndërsa ajo që evidentohet është fakti se këtë vit në ndryshim nga vitet e tjera në listën e barnave të rimbursueshme do të ketë barna mjaft të shtrenjta. Ndër më të privilegjuarit në këtë listë gjatë viteve të kaluara kanë qenë pensionistët edhe fëmijët të cilët përfitojnë barnat falas, por kanë edhe numrin më të madh të medikamenteve që rimbursohen. Edhe këtë vit këto kategori do të kenë përparësi, por mësohet se është shtuar nevoja për futjen në listën e rimbursimit edhe medikamente të tjera që kanë kosto të lartë.
Barnat e shtrenjta
Këtë vit diskutohet që të bëhen pjesë e listës së rimbursimit disa barna, kostoja e të cilave për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është tejet e lartë. Vetëm para pak kohësh këto medikamente nuk kanë qenë pjesë e listave të mëparshme dhe se futja e tyre në listën e sivjetshme kërkon shpenzime që nuk ishin parashikuar. Ndër medikamentet e shtrenjta që mësohet se do të jenë pjesë e listës së rimbursimit janë edhe medikamentet që përdoren për të transplantuarit në veshka. Këtë fakt e ka pohuar para pak kohësh edhe vetë prof. dr. Nestor Thereska dhe njëkohësisht shef i shërbimit të Nefrologjisë: “Një pjesë e mirë e preparateve që përdoren nga pacientët para dhe pas transplantimit do të jenë në listën e rimbursueshme të 2009-s. Në listën e rimbursimit është një preparat tejet i shtrenjtë që përdoret në operacion, valsajti, i cili është një medikament i shkëlqyer kundra infeksioneve virale”.
Kështu, për personat që kryejnë transplantimin e veshkave në QSUT u mësua fakti se do të kenë fatin e mirë që me miratimin e listës së barnave të rimbursueshme të përfitojnë barnat me rimbursim. Medikamentet që përdoren për të transplantuarit në veshka janë tejet të kushtueshme dhe të papërballueshme për pacientët. Lista e re e barnave të rimbursueshme do të marrë formë përfundimisht gjatë muajve mars dhe prill. Ndërkohë që specialistët theksojnë se edhe këtë vit lista e barnave të rimbursueshme do të vazhdojë të kryejë misionin e saj.