E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, konvertimi i lejes së qëndrimit

09/03/2009  Skadimi i lejes së qëndrimit, transferimi për kategoritë e caktuara, veçanërisht studentët

Masat penalizuese si dhe favorizimet për punonjësit e kualifikuar e të miturit

Procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit në shtetin italian tashmë kanë ndryshuar në saje të miratimit të projektligjit mbi sigurinë publike. Në tërësi ky projekt ka parashikuar shtrëngime, por edhe ndonjë dispozitë të favorshme për kategori të caktuara, si në rastin e punëtorëve të kualifikuar apo dhe studentëve. Këta të fundit kanë mundësinë që të transferojnë lejen e qëndrimit në leje punësimi. Për këtë saktësohet se “studentët e huaj që kanë marrë gradën e doktoratës në Itali apo një master universitar të nivelit të dytë, me skadimin e lejes së qëndrimit për motive studimi mund ta konvertojnë atë në leje punësimi. Kjo kategori mund të regjistrohet në zyrën komunale të gjendjes civile për një periudhë jo më të gjatë se 12 muaj, ose në prani të përmbushjes së kërkesave të parashikuara në Tekstin Unik mbi Imigrimin, duke kërkuar kështu konvertimin e lejes së qëndrimit në atë me motive punësimi”. Ndërkohë janë dhe një sërë kategorish të tjera që mund të përfitojnë nga këto ndryshime.

Ndryshimet

Përveç studentëve edhe punëtorët e kualifikuar mund të përfitojnë nga leja e qëndrimit. Legjislacioni italian në këtë rast parashikon dhënien e këtyre lejeve për punësimin nga jashtë të drejtuesve, profesorëve apo personalitetit të deleguar. Për punëdhënësit që kanë nënshkruar një protokoll të posaçëm mirëkuptimi nuk kërkohet më miratimi “nulla osta”. Kjo e fundit zëvendësohet prej njoftimit nga ana e punëdhënësit për propozimin e kontratës së qëndrimit për motive punëmarrjeje, që paraqitet me modalitet informatike pranë Sportelit kompetent Unik mbi Imigrimin. Njëkohësisht është përcaktuar që edhe për të miturit në kujdestari apo që i besohen tutelës, mund të konvertojnë lejen e qëndrimit sapo të arrijnë moshën e të rriturit (18 vjeç), vetëm nëse janë pranuar për një periudhë jo më pak se dy vjet në një projekt integrimi social dhe civil.

Ndëshkimet

Gjithashtu në paketën e sigurisë publike janë parashikuar masa të forta penalizimesh për rastet kur emigrantët qëndrojnë në Itali në mënyrë klandestine, duke rrezikuar përveç gjobës edhe vite burgu. “Hyrja dhe qëndrimi i paligjshëm në territorin e shtetit përcakton se i huaji që hyn apo qëndron në territorin e shtetit duke shkelur dispozitat e Tekstit Unik mbi Imigrimin apo edhe ato të parashikuara në nenin 1 të ligjit të 28 majit 2007, nr. 67 (hyn si klandestin apo nuk kërkon leje qëndrimi ose nuk bën deklaratën e qëndrimit sipas afateve ligjore, apo qëndron pas skadimit të vlefshmërisë së lejes së qëndrimit apo vizës) ndëshkohet me një gjobë 5 mijë deri në 10 mijë euro. Kjo shkelje gjykohet nga gjykatësi i shkallës së parë. Ndërsa për rastet e dëbimit, kur i huaji nuk i bindet urdhrit të largimit të kuestorit, veprohet me miratimin e një vendimi të ri dëbimi me shoqërim në kufi me ushtrimin e forcës publike, ose, kur kjo nuk është e mundur, kuestori rishkruan urdhrin e largimit. Shkelje të këtij urdhri ndëshkohen me burgim, që luhatet sipas tipit të motivit të masës së marrë nga një në katër vjet, apo nga gjashtë muaj në një vit.

Ndryshimet në procedurat e emigrimit

Viza e hyrjes dhe leja e qëndrimit. Nuk mund të lëshohen; edhe në rast se lëshohen, do të anulohen nëse i huaji rezulton i dënuar, paçka së dënimi nuk është përfundimtar, për një prej shkeljeve të përcaktuara në nenin përkatës të Tekstit Unik mbi Imigrimin.

Taksë mbi lejen e qëndrimit. Kërkesa për lëshimin dhe ripërtëritjen e lejes së qëndrimit do të shoqërohet me derdhjen e një kontributi, shuma e të cilit është përcaktuar mes një minimumi 80 euro dhe një maksimumi 200 euro. Nga ky detyrim përjashtohen lejet e qëndrimit për motive azili, për mbrojtje të përkohshme dhe për motive humanitare.

Pa leje qëndrimi nuk është e mundur të marrësh akte të gjendjes civile apo të përfitosh nga shërbimet publike.

Paraqitja e lejes së qëndrimit. I huaji që me kërkesën e nëpunësve apo agjenteve të sigurisë publike nuk i bindet pa motive të justifikueshme urdhrit për të paraqitur pasaportën apo një dokument tjetër identifikimi, apo edhe një dokument që vërteton qëndrimin e rregullt në territorin e shtetit, ndëshkohet me arrestim deri në një vit dhe me një gjobë deri në 2000 euro.

Marrëveshja e integrimit. Gjithashtu është vendosur që me lëshimin e lejes së qëndrimit emigranti duhet të nënshkruajë një marrëveshje integrimi, që ndahet në kredite, me zotimin se do të zbatojë objektiva specifikë integrimi gjatë të gjithë harkut kohor të vlefshmërisë së lejes së qëndrimit. Nënshkrimi i marrëveshjes përfaqëson kushtin e domosdoshëm për lëshimin e lejes së qëndrimit. Humbja e plotë e krediteve përcakton anulimin e lejes së qëndrimit dhe dëbimin e të huajit nga territori i shtetit, me përjashtim të rasteve kur i huaji zotëron leje qëndrimi për motive azili, mbrojtje shtesë, për motive familjare, leje qëndrimi CE të rezidentit afatgjatë, kartë qëndrimi për familjarin e huaj të një shtetasi të Bashkimit Evropian si dhe të huajit që zotëron një leje qëndrimi dhe ka ushtruar të drejtën e ribashkimit familjar.

Leja e qëndrimit CE. Lëshimi lejes së qëndrimit CE për rezidentin afatgjatë kushtëzohet me kalimin e një testi të njohjes së gjuhës italiane nga ana e kërkuesit. Modalitetet mbi këtë testim apo provim do të përcaktohen me dekret të ministrit të Brendshëm, në bashkëpunim me ministrin e Arsimit, Universiteteve dhe Kërkimeve.

Ribashkimi familjar. Kërkuesi duhet të ketë një strehim të përshtatshëm sipas normave higjienosanitare si dhe të përshtatshmërisë së banimit, që verifikohen nga autoritetet zyrtare komunale. Në rastin e një fëmije nën 14 vjeç që ribashkohet me një nga prindërit, mjafton miratimi i pronarit të banesës, ku do të banojë i mituri. Lejohet hyrja për ribashkim familjar të fëmijës së mitur që tashmë qëndron rregullisht me prindin tjetër, prindin natyror, që provon se plotëson kërkesat e pasjes së një banese dhe të realizimit të të ardhurave. Anulohet norma që parashikonte lëshimin e vizës për ribashkim familjar pas 180 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, nga ana e konsullatës italiane në vendin e origjinës, kur nuk ishte marrë asnjë vendim.

Martesa. Nuk është e mundur të lidhet martesë nga ana e një të huaji që nuk zotëron “dokument që provon rregullshmërinë e qëndrimit në territorin italian”. Nuk lejohet kërkesa për ribashkim familjar me familjarin që është martuar me një të huaj, që qëndron rregullisht në territorin kombëtar për një tjetër bashkëshorte. Për atë që shkel këtë normë, vepron anulimi i lejes së qëndrimit

Shtetësia. Ndryshohet ligji nr. 91 i vitit 1992, me parashikimin që bashkëshorti (ja), i (e) huaji apo pa shtetësi i shtetasit (es) italian (e) mund të marrë shtetësinë italiane kur pas martesës qëndron ligjërisht të paktën dy vjet në territorin e Republikës Italiane, apo pas 3 vjetësh, nëse qëndron jashtë, gjithnjë me kushtin që në kohën kur miratohet dekreti që jep shtetësinë të mos ketë ndodhur zgjidhje e martesës, anulimi i saj dhe të mos kenë pushuar efektet civile të martesës dhe të mos ketë ndodhur ndarja efektive personale e bashkëshortëve. Të gjitha praktikat apo deklaratat e përzgjedhjes e marrjes, rimarrjes, heqjes dorë apo të dhënies së shtetësisë shoqërohen nga pagesa e një takse 200 euroshe.

Gjendja civile. I huaji nuk mund të regjistrohet në gjendjen civile apo kur ndryshon banesë, nëse nuk verifikohen kushtet higjienosanitare të banesës ku kërkuesi ka qëllim të fiksojë rezidencën e tij. Nëse verifikimi nuk bëhet brenda 30 ditëve nga kërkesa për regjistrim, regjistrimi bëhet me rezervën e verifikimit; ky bëhet më vonë, por mund të anulohet si pasojë e një rezultati negativ. Verifikimet e gjendjes civile nisin pasi kanë kaluar gjashtë muaj (dhe jo më 12 muaj) nga data e skadimit të lejes së qëndrimit.

Pranë Ministrisë së Brendshme hapet një regjistri i posaçëm për personat që nuk kanë banesë fikse.

Infrastruktura arsimore

Shalsi, qeveria të lëshojë hapësirat për godinat shkollore

Mungesa e godinave shkollore ka bërë që në shumë zona të kryeqytetit procesi i mësimdhënies të hasë në probleme. Pikërisht kjo gjë ndodh dhe për nxënësit e zonës së Bregut të Lumit, të cilët në mungesë të një shkolle në zonën e tyre shpërndahen në të tjera shkolla për të bërë mësim. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eduard Shalsi është prononcuar gjatë ditës së djeshme lidhur me domosdoshmërinë dhe kërkesën e vazhdueshme të Bashkisë për ndërtimin e shkollës së projektuar për komunitetin e zonës së Bregut të Lumit (kryqëzimi i rrugës “Siri Kodra” me rrugën “Jordan Misja”). Sipas tij, “është mirë që qytetarët e Tiranës, ashtu sikundër banorët e këtij komuniteti, të dinë mirë se ka 3 vjet që ne i kërkojmë me insistim kësaj qeverie që në këtë truall ne të ndërtojmë një shkollë, kaq të nevojshme për këta banorë, dhe për 3 vjet, përveçse ka rënë në vesh të shurdhër, tashmë vjen një letër, ku na thuhet se uzina “Dinamo e Re” është në prag privatizimi”. Ndërkohë ai i ka kërkuar Kryeministrit Sali Berisha se ky ambient nuk është privat, ku ai mund të bëjë çfarë të dojë. “Kjo është një hapësirë e përbashkët, që meriton të ketë një shkollë moderne, të standardeve evropiane. Këta njerëz e meritojnë dhe duhet ta kenë shkollën”, - ka përfunduar Shalsi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›