E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shekulli i Shqipërisë evropiane!



Bashkimi Evropian si shtrat i një sistemi të përbashkët të vlerave të kombeve dhe të popujve, ka arritur t’i bashkojë kohërat e vjetra me ato të reja, por gjithnjë duke shembur hendeqet dhe muret e nacionalizmave të vjetër. Sukseset e kësaj bashkësie në lidhje me procesin e zgjerimit të saj përbëjnë një ndër arritjet më të mëdha që nga koha e pasluftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë, dhe me gjithë mend, mund të konsiderohet si një proces i arritjes së madhe në historinë e saj.

Ky sistem vlerash jo më pak se në një dekadë arriti të konsolidojë reformat e thella demokratike dhe ekonomike në tërë Evropën Qendrore dhe atë Lindore, kjo para së gjithash tregon edhe një progres të arritjeve të mëdha, duke hapur kështu perspektivën e përbashkët të kombeve drejtë integrimit në Unionin Evropian.

Proceset që mbart në krah ky sistem i përbashkët vlerash, janë të padiskutueshme, tepër lëvizëse, duke bërë një shndërrim të thellë të shoqërive të vjetra apo të dala nga kolonializmi në një shoqëri të ndryshimeve të mëdha rrënjësore.

Tani, në shekullin XXI, ka mbërritur mendimi se edhe Gadishullit Ballkanik pas ngjarjeve që ndodhën mund t’i hapen dyert në integrimin e këtij rajoni në këtë bashkësi vlerash të përbashkëta, por kjo mund të realizohet vetëm duke parë se në këtë rajon është duke u krijuar një perspektivë bindëse politike, pastaj të progresive të tjera të plotësimit të atyre standardeve të domosdoshme dhe obliguese nga të gjitha fushat e jetës së një shteti që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Për të kapur këtë hap shtetet e rajonit të Ballkanit e në këtë rast Shqipëria duhet të analizojë të gjitha sferat e jetës dhe funksionalizmit të institucioneve në të gjitha nivelet dhe duke parë se gjërat kanë ndryshuar, atëherë duhet hedhur hapi drejt procesit të integrimit në Unionin Evropian.

Duhet cekur se të gjitha kombet dhe popujt që sot janë anëtare, kanë kaluar nëpër disa faza të rëndësishme, por edhe të mundimshme të proceseve të ndërtimit të rrugës drejt familjes së përbashkët evropiane. Të gjithë e dinë se Ballkani ka nevojë të ngutshme që të kapërcejë pragun e mospajtimeve të brendshme, por edhe të kapërcejë dobësinë e ecjeve në drejtim të progresit dhe të plotësimit të kritereve bazë të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht Unionit Evropian për t’u bërë pjesë e ecjeve të përbashkëta të zhvillimeve bashkëkohore.

Sot të gjithë janë të bindur se komuniteti ndërkombëtar është duke u përballur me një përgjegjësi të re historike ndaj çështjes së zhvillimit, të demokratizmit, pastaj të paqësimit të Ballkanit si dhe të proceseve integruese të këtij rajoni. Ky angazhim i ri i ndërkombëtarëve tregon edhe një herë që Ballkani në asnjë mënyrë nuk mund të kthejë kokën mbrapa. Nga kjo mund të thuhet se tani në rajonin e Ballkanit është duke u përdorur një strategji e re për arritjen e objektivave të tij strategjike, politike, ekonomike, kulturore etj., etj. Kjo po bëhet nga aktorët ndërkombëtarë në bashkëpunim me qeveritë e shteteve të qëndrueshme dhe të dobëta të rajonit për t’i nxitur ata që të bëjnë ndryshime të thella e rrënjësore brenda sistemeve shtetërore, ashtu që rruga drejt integrimit të jetë sa më e shkurtër dhe synimet të bëhen një realitet historik.

Kjo nxitje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, si në rastin e Shqipërisë që është bërë gati të aplikojë për në Bashkimin Evropian, ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit mund të konsiderohet një sukses i mjaftueshëm si dhe një tregues i qartë i angazhimeve të përbashkëta.

Gjithashtu, bashkësia evropiane përballet edhe me disa probleme në lidhje me shtete që përmbajnë elemente të joqëndrueshmërisë, jofunksionalitetit të brendshëm, jolegjitimitetit, jodemokratizimit, jozhvillimit, jorespektimit të të drejtave të njeriut etj. Kështu që nëse Shqipëria aplikon në këtë vit për procesin e integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian, ajo duhet të shohë se a ka kryer ndryshimet e mëdha, a e ka arritur suksesin që i nevojitet për ta bërë këtë akt që mund të konsiderohet historik dhe një rikthim në familjen e lashtë e të braktisur nga shekujt e hershëm, a ka arritur që Shqipëria të ndryshojë të menduarit të politikës, të bëjë ndryshime në të gjitha sferat tjera, a ka mbërritur me të vërtetë shekulli i Shqipërisë evropiane apo duhet punuar ende për të hedhur këtë hap drejt procesit të integrimit?

Janë kushtet e kryera që sot Shqipëria ta bëjë këta hap dhe a ka arritur vërtet shteti shqiptar që ta kuptojë edhe një gjë, se për t’iu përshtatur kushteve të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ajo duhet ta heqë qafe sistemin e modeleve të vjetra dhe klasike, duke e shndërruar atë në një shtet modern me demokraci të qëndrueshme pastaj me sovranitet të përbashkët, duke shkrirë atë në sistemin e vlerave të Bashkimit Evropian.

Sepse, besoj se e ka të ditur shteti shqiptar se hedhja e hapit drejt procesit të integrimit do të thotë një hap i madh i Shqipërisë në shekullin XXI, një hap i pakthyeshëm dhe shumë i rëndësishëm. Aplikimi i shtetit shqiptar s’ka dyshim se është i një rëndësie historike dhe do të zhbllokonte shumë procese të tjera ashtu që shtete tjera të rajonit do të mundnin shumë lehtë ta përqafonin rrugën e integrimeve evropiane sesa ndonjë herë më parë, ngase ata mund të jenë të rrethuar nga ky proces i pashmangshëm dhe historik për tërë rajonin në përgjithësi.

Dhe krejt në fund, duke gjykuar se shteti shqiptar të ketë mbaruar kushtet e nevojshme dhe duke gjykuar se për t’u integruar në sistemin e vlerave të përbashkëta evropiane duhet të hiqen të gjitha anomalitë e brendshme të sistemit shtetëror të Shqipërisë, duhet hequr velloja dhe abstraksionet e panevojshme, duhen ndërruar të gjitha nivelet e sistemit keqndërtues, sepse në të kundërtën nuk do të mund të ketë një bashkësi me sistemin e përgjithshëm të Bashkimit Evropian.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›