E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e skaduara në QSUT, betejë për asgjësimin

Bala: Duhet të ndërpritet asgjësimi në Sharrë, është i jashtëligjshëm. QSUT duhet të gjejë zgjidhje ligjore

Magazinat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk kanë më kapacitet për të mbajtur stokun e barnave që gjendet aty prej të paktën 5 vitesh, ndërkohë që rreziku prej tyre sa vjen dhe shtohet, pasi bëhet fjalë për mbetje të rrezikshme. Për asgjësimin e tyre autoritetet e Shëndetësisë kanë kërkuar ndihmën e atyre të Mjedisit, të cilat kanë vendosur kushtet ligjore që duhet të ndiqen për këtë proces, që përjashtojnë djegien dhe groposjen e tyre në Landfillin e Sharrës, një praktikë kjo që është ndjekur më parë, megjithëse nuk është e ligjshme. Kryeinspektori i Mjedisit, Ilir Bala, sqaron se QSUT-së i është rekomanduar t’i magazinojë dhe inventarizojë dhe të gjejë zgjidhje ligjore për asgjësimin e barnave të skaduara. “Ministria e Shëndetësisë, ose duhet të përdorë icenerator me leje mjedisore përkatëse për kryerjen e këtij aktiviteti, ose duhet të komunikojë me palë të treta për asgjësimin e këtyre medikamenteve, por duhet që pala e tretë të jetë me leje mjedisore përkatëse për zhvillimin e këtij aktiviteti. Palët e treta mund të kenë icenerator të pajisur me leje, ose mund të kryejnë eksport”, - shprehet Bala. Ndërkaq, kryeinspektori i Mjedisit shpjegon pse nuk është e ligjshme që asgjësimi i barnave të skaduara të bëhet në Sharrë. “Kjo është një metodë e gabuar dhe nuk është ligjore, referuar rregullores dhe ligjit për mbetjet e rrezikshme. Kjo duhet të ndërpritet dhe ne kemi bërë kohë më parë komunikim me të gjitha strukturat e mjedisit që në bashkëpunim me depot farmaceutike apo me të gjitha këto aktivitete që gjenerojnë këto medikamente që kanë skaduar, të ndjekin hapat ligjorë referuar ligjit të mbetjeve të ngurta, të rrezikshme, ligjit të mjedisit, pra të zbatojnë të gjithë ligjshmërinë që është në fuqi për magazinimin e këtyre medikamenteve”, - sqaron kryeinspektori i Mjedisit. Aktualisht, në dy dhoma të depos së barnave në QSUT janë të depozituara me qindra ilaçe të skaduara dhe që mbahen stok që prej vitit 2008. Por asgjësimi i këtyre medikamenteve, që i përkasin një kategorie të madhe sëmundjesh, ka mbetur peng i bashkëpunimit mes të paktën pesë institucioneve shtetërore. Sipas drejtuesve të QSUT-së, duhet bërë më parë ndarja e barnave që do të digjen apo groposen. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë duhet të lëvrojë një fond të posaçëm për eliminimin e tyre. Ndërkohë që i takon Ministrisë së Mjedisit të kujdeset për ndikimin që kanë këto barna të skaduara, për vendin ku do të depozitohen. Por, para se gjithash duhet që Bashkia e Tiranës të përcaktojë një vend të përshtatshëm për groposjen e tyre dhe djegien e tyre. Për barnat e skaduara të tregut të hapur është përgjegjëse edhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, i cila ka operuar duke i groposur ato në Landfillin e Sharrës. Por, për sa kohë këto institucione të bëhen bashkë për asgjësimin e ilaçeve, numri i tyre vijon të rritet me të tjera që mund të skadojnë me kalimin e kohës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›