E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike për 2012-ën parashikohet të jetë 4.3%

10/11/2011  Bode: Projektbuxheti 2012 mbështet stabilitetin makroekonomik

Zhvillimet ekonomike në vendin tonë janë ndër më pozitivet në Eurozonë. Kështu ka pohuar ministri i Financave, Ridvan Bode, dje gjatë raportimit për projekt-buxhetin 2012 në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Bode tha se projektbuxheti është konservator dhe realist dhe synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. “Buxheti është një buxhet konservator. Ka marrë në konsideratë zhvillimet aktuale dhe potencialet e ekonomisë. Është marrë parasysh dhe kriza në Eurozonë dhe potencialet e ekonomisë sonë”, - tha numri 1 i Financave. Sipas tij, totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 355.8 miliardë lekë, me një rritje prej 7.9% kundrejt vitit 2011, ose në nivelin 25.6% të PBB. Deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit, u shprehën skeptikë dhe theksuan se dhe vite të tjera qeveria ka prezantuar buxhet konservator, por draftet nuk kanë rezultuar aq optimistë. Deputetja Mimi Kodheli në diskutimin e saj solli argumente që, sipas saj, qeveria nuk ka pasur aspak në vëmendje krizën në Eurozonë, duke hartuar këtë buxhet. Ajo theksoi se në draft nuk sheh të pasqyruara rekomandimet e FMN. Por kjo u kundërshtua nga ministri Bode. Sipas Bodes, qeveria shqiptare e ka nën kontroll borxhin publik. Ai shtoi se ulja e borxhit mbetet prioritet edhe në buxhetin e vitit 2012.

Shpenzimet kapitale

Për vitin 2012 parashikohet që shpenzimet kapitale të arrijnë masën 69.7 miliardë lekë. Në prioritizimin e listës së investimeve vazhdojnë të përzgjidhen ato projekte, të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, si edhe investimet që cilësohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, në përputhje edhe me programin e qeverisë. Njëkohësisht, shpenzimet kapitale si me financim të brendshëm, ashtu edhe të huaj, do të vazhdojnë të përqendrohen në sektorët prioritare të qeverisë si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, bujqësia e zhvillimi rural. Më konkretisht, investimet me burime të brendshme parashikohet të jenë 1.97% të PBB. Ndërsa, investimet me burime të huaja parashikohen në nivelin e 3% të PBB, nga 2.5% e PBB që kanë qenë në buxhetin e rishikuar 2011. Bazuar në shpërndarjen e shpenzimeve publike midis ministrive, vlerësohet se në vitin 2012 niveli i shpenzimeve publike do të shënojë rritje për të gjithë sektorët prioritare. Kështu, sektori i arsimit do të arrijë nivelin 3.2% të PBB, ndërkohë që shpenzimet në sektorin e shëndetësisë parashikohen të arrijnë në 2.6% të PBB. Gjithashtu, shpenzimet për sektorin e bujqësisë parashikohen të rriten në nivelin 0.5% të PBB, ndërkohë që 3.05 % e PBB parashikohet niveli i sektorit të infrastrukturës.

Të ardhurat nga TVSH

Të ardhurat në total nga TVSH parashikohen të rriten me 8.4 për qind kundrejt të pritshmit për vitin 2011, ose rreth 9.2 për qind të shprehura si raport ndaj PBB. Nga totali prej 127.3 miliardë lekësh të parashikuara për këtë takse, administrata doganore pritet të mbledhë rreth 98.6 miliardë me një rritje prej 7.8 për qind ndaj të pritshmit për vitit 2011. Parashikimi për TVSH nga administrata doganore bazohet në parashikimin e nivelit nominal të importeve prej rreth 6.1 për qind dhe në, prirjen historike të koeficientit të elasticitetit të këtyre të ardhurave ndaj nivelit nominal të importeve të mallrave, si dhe në pritshmëritë lidhur me përmirësimin administrativ në mbledhjen e kësaj takse. Administrata tatimore pritet të mbledhë rreth 28.7 miliardë lekë të ardhura nga TVSH me një rritje prej 10.8 për qind ndaj të pritshmit për vitin 2011. Parashikimi për këtë zë bazohet në nivelin e parashikuar të rritjes reale të PBB, në normën e parashikuar të rritjes së çmimeve te mallrave dhe shërbimeve, të cilat janë subjekt i kësaj takse, pritshmërinë e aktivitetit ekonomik për sektorë të veçantë të ekonomisë, në karakteristikat e serisë kohore të koeficentëve të elasticitetit të kësaj takse ndaj bazës tatimore respektive, si dhe pritshmëritë e përmirësimit administrativ në mbledhjen e kësaj takse.

Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin

Të ardhurat në total për tatim fitimin janë parashikuar në 21.9 miliardë për vitin 2012, me një rritje prej 6.8 për qind ndaj të pritshmit për vitin 2011. Në raport me PBB-në të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arrijnë në rreth 1.6 për qind. Parashikimi për këtë zë është bazuar në parashikimin për rritjen e bazës së tatueshme e lidhur kryesisht me ecurinë e aktivitetit ekonomik, si dhe të përmirësimeve të pritshme në aspektin administrativ.

Të ardhurat nga akciza

Të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga akciza për vitin 2012 janë 42.8 miliardë lekë, me rritje 8.4 për qind kundrejt të pritshmit për vitin 2011, ose në nivelin 3.1 për qind të PBB. Nga totali i të ardhurave nga akciza, administrata doganore pritet të mbledhë rreth 25 miliardë lekë, ose 7.9 për qind më shumë se i pritshmi për vitin 2011. Të ardhurat nga akciza në doganë ndikohen direkt nga sasitë e importuara të mallrave të forta, konjukturat e çmimeve të tyre në tregjet e huaja, si dhe lëvizjet në kursin e këmbimit. Administrata tatimore pritet të mbledhë 17.8 miliardë lekë nga akciza, me një rritje prej 9.2 për qind kundrejt te pritshmit për vitin 2011. Në parashikimin e të ardhurave nga akciza janë marrë gjithashtu në konsideratë edhe efektet e ndryshimit të politikës tatimore për këtë taksë. Konkretisht, gjatë vitit 2012 pritet të ketë efekt negativ prej rreth 230 milionë lekë reduktimi i akcizës për birrën, efekt pozitiv prej 340 milionësh rritja e akcizës për solar/mazut dhe gjithashtu efekt pozitiv prej 190 milionësh rritja e akcizës për koks/nafte. Efekti neto i këtyre ndryshimeve pritet të jetë pozitiv prej rreth 300 milionë lekë.

Tatimi mbi të ardhurat personale

Nga tatimi mbi të ardhurat personale parashikohet një nivel të ardhurash prej 29.7 miliardë lekësh, ose 6.9 për qind më shumë se i pritshmi për vitin 2011. Në raport me PBB të ardhurat arrijnë në rreth 2.1 për qind. Parashikimi është ndikuar nga ecuria e deritanishme e mbledhjes së të ardhurave nga kjo taksë, pritshmëria për rritjen ekonomike dhe për nivelin e pagave të punonjësve, si dhe nga vazhdimësia e efekteve të mirë-administrimit.

Të ardhurat nga taksat nacionale

Të ardhurat nga taksat nacionale për vitin 2012 pritet të jenë rreth 22.6 miliardë lekë, me një rritje 13.5 për qind ndaj të pritshmit për vitin 2011. Në raport me PBB të ardhurat arrijnë në rreth 1.6 për qind. Parashikimet për të ardhurat nga kjo taksë janë bazuar në parashikimet e rritjes së aktivitetit ekonomik, parashikimet për ecurinë e eksporteve, të cilat ndikojnë në mënyrë direkte të ardhurat nga renta minerare, trendi historik i rritjes së tyre, dhe pritshmëria për përmirësimin administrativ në mbledhjen e saj. Gjithashtu në parashikimin e të ardhurave nga kjo taksë është përfshirë edhe efekti neto i pritshëm prej rreth 1 miliard lekë si rrjedhojë e ndryshimeve në ligjin e taksave kombëtare.

Të ardhurat nga taksa doganore

Për vitin 2012 parashikohen të mblidhen nga taksa doganore rreth 6.8 miliardë lekë, me një rënie prej 4.5 për qind krahasuar me të pritshim e vitit 2011. Efektet negative të reduktimit të tarifave për shkak të zbatimit të tarifave preferenciale nga reduktimet që rrjedhin nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit (CEFTA), me Turqinë dhe me vendet e Bashkimit Evropian, si dhe efekti negativ prej rreth 670 milionë lekë prej ndryshimit të ligjit të taksave doganore për veshjet e gatshme dhe lëndët e para të konfensioneve, janë faktorët kryesore që ndikojnë në reduktimin e të ardhurave nga kjo taksë.

Të ardhurat nga fondet speciale

Të ardhurat nga fondet speciale për vitin 2012 parashikohen në rreth 59.5 miliardë lekë, me një rritje prej 5.6 për qind krahasuar me të pritshmin për vitin 2011. Prej këtyre, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shendetesore te parashikuara për vitin 2012 janë në nivelin 58 miliardë lekë, ose rreth 6.7 për qind më shumë se i pritshmi për vitin 2011, duke arritur në 4.2 për qind të PBB, ndërsa rreth 1.5 miliardë lekë të pritet të arkëtohen prej pagesave të legalizimit të pronave. Parashikimi i të ardhurave nga kontributet për vitin 2011 bazohet në parashikimet për rritjen e aktivitetit ekonomik, të punësimit, të nivelit të pagave, si dhe në uljen e vazhdueshme të informalitetit në tregun e punës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›