Mblidhet sot Këshilli Bashkiak, vendimet që do të merren
Këshilli Bashkiak i Tiranës do të organizojë sot mbledhjen e dytë të tij për vitin 2011, në të cilën do të paraqiten disa vendime për miratim. Një nga vendimet më të rëndësishme është ai për Planin e ri Rregullues, që parashikohet t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së trafikut në kryeqytet, por edhe zhvillim të integruar urban me zonat përreth Tiranës. Me miratimin e kërkesës për fillimin e procesit të hartimit të planit të përgjithshëm vendor të qytetit të Tiranës, plani do të përfshijë si prioritet: zgjatimin e bulevardit kryesor të kryeqytetit; sistemimin e lumit të Tiranës; terminalin multimodal të udhëtarëve; Unazën e Madhe të Tiranës, si edhe Linjën e Tramvajit. Një tjetër vendim që do t’i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak është ai për ngritjen e komisionit për xhaminë e madhe, i cili do të funksionojë pranë Bashkisë së Tiranës me karakter këshillimor, gjatë gjithë periudhës që do të hartohet plani i ri rregullues i kryeqytetit. Komisioni për Xhaminë e Madhe ngarkohet të konsultohet dhe bashkëpunojë për planifikimin dhe integrimin urban. Në përbërje të tij do të jenë 20 përfaqësues nga institucione të ndryshme, midis të cilëve edhe kreu i bashkisë, si dhe drejtues të Komunitetit Musliman. Miratimi i strukturës së re të bashkisë do të pasohet me një vendim për riorganizimin e disa ndërmarrjeve në varësi të saj, që do të kalohet në mbledhjen e sotme të këshillit. Vendimi tjetër që do t’i propozohet këshillit është edhe ai që ka të bëjë me krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën, që do të ketë si detyrë miratimin e fondeve në këtë fushë. Në këtë këshill do të marrin pjesë emra të njohur të artit e kulturës si: Ali Oseku, Timo Flloko, Vikena Kamenica, Arben Skënderi, Gent Korini, Erfort Kuke, Parid Teferiqi, Genc Çocoli, Yllka Mujo, Kreshnik Tartari, Marjeta Zaçe, Miço Papadhopulli, Bujar Shehu. Në mbledhje do të paraqitet edhe një projekt për krijimin e një linje të re autobusi, nga qendra deri në Qytetin Studenti. Kjo linjë do t’u krijojë studentëve lehtësi në qarkullim dhe do të ofrojë shërbimin në përputhje me Kartën Bashkiake të Studentit.