Barnat pa prokurim. Korrupsion në tregun e 4 miliardë lekëve

Barnat që rimbursohen nga ISKSH kanë çmim më të lartë se ato që sigurohen nga shërbimi spitalor nëpërmjet tenderimeve. Në listën e rimbursimeve figurojnë barna të paregjistruara
Duke filluar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor e deri tek Ministria e Shëndetësisë, skandalet në tenderimet e barnave nuk kanë të sosur. Dhe në fakt, këtu bëhet fjalë për shifra serioze, pasi vlera e barnave të rimbursuara për një vit është mbi 4 miliardë lekë. Burime pranë MSH-së pohojnë për “Korrierin”, se prej vitesh në listën e rimbursimeve përfshihen edhe barna të paregjistruara, çka bie ndesh me nenin 11, “Qarkullimi i barnave”, pika 2 e ligjit nr. 9323 të vitit 2004, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”. Duke shfletuar brenda ligjit, citojmë si më poshtë: “Për përballimin e gjendjeve emergjente ose në raste nevojash të shërbimit shëndetësor, ministri i Shëndetësisë autorizon importin e barnave të paregjistruara”. Por ndryshe nga ky ligj, duket se barnat e paregjistruara u nënshtrohen prej kohësh prokurimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, çka e vëren në kontrollet e bëra edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Miratimi i listës së barnave dhe përbërja e komisionit janë elemente thelbësorë, pasi këtu ekziston rreziku potencial i elementeve të korruptimit. Mungesa e shumë kritereve ka bërë që vendimet e marra nga Komisioni i Miratimit të Barnave të Rimbursueshme që funksionon në MSH, të ketë ndjeshmëri të lartë në nivelin e korruptimit, çka lidhet me ndërhyrjet e distributorëve të ndryshëm farmaceutikë”, citohet në një raport të KLSH-së.
Skandali me çmimet e barnaveSipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 504, datë 08.08.2007, “Për ngritjen dhe funksionimin e çmimit të barnave”, miratimi i çmimit të barnave të rimbursueshme bëhet nga komisioni i çmimit të barnave i ngritur pranë MSH-së, në bazë të deklarimit të fabrikuesve për çmimin CIF në euro ose dollarë për barnat e importit, apo çmimin e fabrikimit në lekë për barnat e prodhuar në vend, duke mos iu nënshtruar procesit të tenderimit, apo të paktën të negocimit. Kështu, po të vëmë re, veprimet e sipërpërmendura kanë bërë që i njëjti bar që rimbursohet nga ISKSH ka çmim më të lartë se ai që sigurohet për shërbimin spitalor nëpërmjet procedurave të prokurimit.
Listat e propozuaraGjatë fundit të vitit të kaluar, ISKSH nuk ka paraqitur në Komisionin e Miratimit të Listës së Barnave që funksionon në ministri projektin e tij të listës së barnave për vitet pasardhës, por ka paraqitur vetëm propozimet e subjekteve të ndryshëm për barna që kërkohen të përfshihen në listë. Megjithatë, burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë për “Korrierin”, se ISKSH ka pretenduar se në miratimin e listës së barnave nga Këshilli Administrativ ka probleme, të cilëve nuk po u jepet zgjidhje institucionale nëpërmjet akteve nënligjore.
Tregu i barnave, si xhirohen 16.5 miliardë lekëTregu i barnave për vitin 2007 ka arritur vlerën e totale të 16.5 miliardë lekëve, çka tregon për një rritje në nivelin e afro 25 përqindëshit krahasuar me një vit më parë. Duke bërë një përllogaritje të shifrave, rezulton se gjatë vitit të kaluar çdo shqiptar ka shpenzuar minimalisht 5 200 lekë vetëm për barna. Për vitin e kaluar, vlera e barnave të rimbursuara nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ishte 3.9 miliardë lekë, ose 23.6 për qind e vlerës totale të tregut. Krahasuar me vitin 2006, vlera e barnave të rimbursuara nga ISKSH ka qenë rreth 10 për qind më e lartë.
Importi dhe eksportiSipas Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare (ACIT), vlera e importit të barnave për vitin 2007 arriti në 11.1 miliardë lekë, me një rritje prej më shumë se 22 për qindësh, krahasuar me kjo me një vit më parë. Për vitin 2007, vlera e eksporteve ishte rreth 82 milionë lekë, me një rritje prej 86 për qindësh krahasuar me vitin 2006. Ndërkohë, duhet përmendur fakti se pjesa më e madhe e importeve, e shprehur në vlerë, vinin nga Zvicra. Importet e barnave nga ky vend kishin vlerën e 1.7 miliardë lekëve, ose 15 për qind e vlerës totale të importit të barnave.
Prodhimi vendasIndustria vendase e prodhimit vendas të barnave vazhdon të konsiderohet modeste, duke zënë një pjesë të vogël të tregut. Prodhuesi më i madh, “Profarma”, për vitin 2007 deklaroi një xhiro prej 510 milionë lekësh, me një rritje prej 20 për qindësh krahasuar me vitin 2006. Duke shtuar marzhet e fitimit të përcaktuara në ligj, barnat e “Profarmës” në tregun e pakicës kishin një vlerë prej 720 milionë lekësh dhe zinin rreth 4.4 për qind të volumit të tregut për vitin 2007. “Profarma” gjithashtu ka raportuar edhe një rritje të marzhit të fitimit në 4 për qind, nga 3.5 për qind që kishte deklaruar në vitin 2006. Por në përmasa më të vogla vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe tre prodhues të tjerë: “Prodentalfarma”, “Euromedica” dhe “Radofarma”. Për këto shoqëri nuk ka të dhëna financiare, pasi nuk figurojnë në drejtorinë e bizneseve VIP, çka do të thotë që xhiroja e biznesit të tyre është më e vogël se 100 milionë lekë në vit.
Barnat e importit zinin mbi 95 për qind të tregut, ndërsa ato të prodhuara në Shqipëri më pak se 5 për qind
Pjesa e tregut që u rimbursua nga ISKSH ishte 23.6 për qind, me një ulje prej 1.4 për qindësh krahasuar me vitin 2006
Shoqëria me xhiron më të lartë në tregtimin e barnave ishte “Rejsi Farma”