E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohen gjyqtarët e Delijorgjit

KLD vendosi dje masën ekstreme për gjyqtarët e Apelit të Durrësit që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit

TIRANË - Gjyqtarët e shumëpërfolur për vendimin që nxori të pafajshëm Mihal Delijorgjin nga akuza e evazionit fiskal një vit më parë, janë shkarkuar nga detyra. Me një shumicë të cilësuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi dje pranimin e kërkesës për shkarkim nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak Tiranë, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, të cilët akuzohen për shkelje të ligjit procedural penal gjatë gjykimit të çështjes me të pandehur Mihal Delijorgjin, i cili tashmë ndodhet në qeli për akuzën e vrasjes masive. Sipas zëvendëskryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, shkarkimi i tyre erdhi pasi u provua se tre gjyqtarët duke pushuar padinë civile ndaj firmës “Përparimi”, kanë sjellë pasoja të rënda për shtetin shqiptar, duke i hequr këtij të fundit mundësinë e pretendimit para një gjykate të shpërblimit të dëmit në masën e konsiderueshme prej 22.668.851 lekësh. Historia që do t’u kushtonte detyrën tre gjyqtarëve atë kohë në Gjykatën e Apelit Ushtarak Durrës, nis në 17 dhjetor të vitit 2007. Pikërisht në këtë datë, gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo kanë lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke nxjerrë të pafajshëm Mihal Delijorgjin, i cili akuzohej për veprat penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose të formularëve” dhe “kontrabandë me mallra të tjera”. Përtej këtij fakti, në kërkesën për procedim disiplinor që u shqyrtua në mbledhjen e djeshme të KLD-së, u argumentua se në të njëjtin proces është vendosur edhe për padinë civile. “Në këtë proces, nga ana e trupës gjyqësore është vendosur gjithashtu mbi padinë civile me palë paditëse Degën e Doganës Durrës, palë e paditur shoqërinë tregtare “Përparimi sh. a”, me objekt detyrimin e shoqërisë së sipërcituar për të shpërblyer dëmin e shkaktuar ndaj shtetit, në shumën e përgjithshme 122.668.851 lekë, dhe në përfundim prej tyre është vendosur pushimi i çështjes penale ndaj të pandehurit Mihal Delijorgji, si dhe rrëzimi i padisë civile në procesin penal”, - deklaroi zëvendëskryetari i KLD-së. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar. Por gjyqtarët tashmë të shkarkuar, duket se nuk e kanë zbatuar këtë dispozitë ligjore, pasi KLD ka konstatuar se gjatë procesit penal është rrëzuar edhe padia civile.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›