E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat që BE-ja i përdor për kafshët, Shqipëria i tregton për njerëzit

Në Shqipëri tregtohet një gamë e gjerë barnash, produktesh farmaceutike, por, pavarësisht kësaj, cilësia dhe shumëllojshmëria e tyre është 4-5 herë më e lartë në vendet e Bashkimit Evropian.

Por jo vetëm kaq, një tjetër ndryshim mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë është reforma dhe zëvendësimi i barnave të reja me ato të vjetra. Një pjesë e mirë e barnave që përdoren në BE për sistemin veterinar, për trajtimin e sëmundjeve të kafshëve, në Shqipëri përdoren ende për njerëzit. Rasti më klasik është përdorimi i klorofenikolit, një alternativë që merret për shqetësime gastro-intestinale. "Barna të tilla që sot në Shqipëri tregtohen në farmaci, vendet e Bashkimit Evropian i përdorim për shërbim veterinar. Njëri prej tyre është klorofenikoli, por në listë janë edhe të tjera", u shpreh Elvis Kena, këshilltar për sektorin e farmaceutikës, në Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas tij, ende në Shqipëri kemi një treg të vakët dhe të pareformuar, krahasuar me Perëndimin.

Farmaceutika

Dje, në konferencën e parë të farmaceutikës, specialistë nga Qendra e Kontrollit të Barnave, punonjës të farmaceutikës, përgjegjës për sektorin e barnave, kanë diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme lidhur me shërbimin farmaceutik.

Një nga diskutimet më të rëndësishme ka qenë "dashamirësia" e tepruar e shqiptarëve për ilaçet stimulohet edhe nga farmacistë. "Nga kontrollet e ushtruara nga inspektorët e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave ka rezultuar se një pjesë e farmacistëve tregtojnë ilaçe të cilat duhet të blihen me rekomandimin e mjekut. Në disa raste, farmacistët janë penalizuar por nga ana tjetër, pacientët duhet të blejnë ilaçe vetëm me rekomandimin e mjekut, për rastet kur kërkohen barna jashtë listës OTC", tha Besnik Jakaj, drejtori i QKKB-së.

Lista e barnave OTC është një dokument ku listohen të gjitha barnat dhe ilaçet, që sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian mund të tregtohen pa asnjë shqetësim edhe pa rekomandimin e mjekut. Këto barna janë kryesisht për qetësim dhembjesh apo për shqetësime të vogla për të cilat qytetarët nuk kanë probleme anësore.

Barnat

Nga studimet e tregut, si dhe nga mendimet e specialistëve, shqiptarët i përdorin dhe i konsumojnë shumë barnat. Ata kanë besim se nën efektin e tyre do të gjenë shpëtim për problemet e tyre shëndetësore. Një nga psikozat e pacientëve në vendin tonë është marrja e alternativave të fundit, më të forta, edhe për dhembje të zakonshme, apo për shqetësime të parëndësishme të organizimit. Shqiptarët pinë ilaçe pa kriter, shkojnë në barnatore për të blerë medikamente sipas mendjes së tyre dhe farmacitë japin të gjitha llojet e barnave, pavarësisht rrezikut.

Por jo vetëm kaq. Mjekët shqiptarë që shkruajnë një recetë të mbingarkuar me barna janë të pakualifikuar dhe e gjithë "fryrja" që u bëjnë pacientëve me ilaçe vjen si pasojë e paaftësisë së tyre. Të gjitha këto fakte janë bërë publike dy vjet më parë, pas një studimi të kryer nga Banka Botërore.

Qendra e Barnave

Kontrollet e farmacive nga inspektorët

Kontrollet dhe inspektimet e kryera nga Qendra e Kontrollit të Barnave kanë kapur në "gabim" rreth 70 farmaci, brenda një periudhe njëvjeçare", u shpreh drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj. Sipas kreut të QKKB-së, farmacitë që kanë kapur në gabim, kanë tregtuar barna pa pullë, si drejtues teknik nuk kanë pasur një specialist të mirëfilltë. Të tjera farmaci janë penalizuar për mospërmbushje të rregullave për aktivitetin normal të një barnatoreje. Konkretisht gjobat që kanë marrë farmacitë nga inspektorët e Qendrës së Kontrollit të Barnave kanë qenë: 50 mijë lekë, 200 mijë lekë, pezullim të aktivitetit të farmacisë, mbyllje për një kohë të gjatë të disa të tjerave.

Box

Banka Botërore

Shqiptarët pinë shumë ilaçe

Studimi i Bankës Botërore bën një krahasim lidhur me shpenzimet për barna që bën vendi ynë krahasuar me vende si Sllovakia, Hungaria, Çekia, Japonia, Greqia, SHBA dhe Holanda. "Krahasimi i këtyre të dhënave tregon qartë tendencën se Shqipëria kërkon t‘i zgjidhë problemet shëndetësore më shumë përmes medikamenteve", thuhet në studim. Sipas specialistëve të Bankës Botërore, deri në 32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për shëndetësinë, Shqipëria i harxhon për barna. "Vlerësimet e shpenzimeve farmaceutike përllogariten në 23-32 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për kujdesin shëndetësor në Shqipëri", vijohet më tej duke shtuar se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian për barna është 14 për qind e totalit të fondit për shëndetësinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›