MekLaren kërkon mëshirën e FIA-s për skandalin
Në një kohë kur MekLaren i Luis Hemilton dhuroi paraqitje të mira në provat e lira të Bahrejnit (falë modifikimeve në makinë) dhe Norbert Haug përgënjeshtroi hipotezat e largimit të Mercedesit nga Formula 1 (pas protestave të punonjësve), "shigjetat e argjendta" kanë kërkuar mëshirën e FIA-s. Martin Uitmarsh, drejtuesi i skuadrës anglo-gjermane, i ka dërguar një letër presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, Maks Mosli, duke pranuar shkeljen e nenit 151 të Kodit Sportiv gjatë Çmimit të Madh të Australisë. Në garën e parë sezonale, Hemilton dhe ish-drejtori sportiv, Dejv Rajan, i gënjyen në dy raste komisarët e pistës së Melburnit, duke shkaktuar zbritjen në renditje të Jarno Trulit me Tojota. Në letër, Uitmarsh kërkonte falje për atë që e cilësonte një gabim. Vendimi për t‘u gjunjëzuar përpara Moslit lidhet me faktin se ai kërkon të evitojë me çdo kusht skualifikimin e skuadrës nga kampionati i Formula 1. Më 29 prill, mes shumë çështjeve të tjera, Këshilli Botëror do të shqyrtojë edhe "sjelljen anti-sportive" të kampionit të botës në fuqi dhe drejtuesve të MekLarenit. Ndëshkimi minimal është gjoba financiare, ndërsa gjatë javëve të fundit është folur me bindje edhe për një përjashtim të mundshëm. Skandali rreth skuderisë anglo-gjermane është i dyti në harkun e dy vjetëve. Në 2007-ën ata u gjobitën me 100 milionë dollarë në çështjen "spy story", ndërkohë që iu hoqën edhe të gjitha pikët në klasifikimin për konstruktorë. Ndërkohë, në provat e lira në Bahrejn ka spikatur Niko Rosberg, që regjistroi kohën më të mirë. Tjetër paraqitje e dobët e Ferrarit: Masa dhe Raikonen u klasifikuan në dy vendet e fundit.