E Diel, 1 Nëntor 2026

"Rikthehen" pasaportat bullgare, prangosen dy falsifikatorë

Një tjetër linjë e falsifikimit të pasaportave bullgare duket se është zbuluar në Shqipëri, me arrestimin e dy personave, të cilëve u janë sekuestruar jo pak mostra dokumentesh të falsifikuara. Ky fenomen dihet se prej vitesh ka funksionuar në vendin tonë, sidomos pas hyrjes së Bullgarisë në BE. Për një kohë të gjatë, policia mendonte se falsifikimi i pasaportave bullgare, që përdoren nga shqiptarët për të shkuar në vendet e Perëndimit, nuk po aplikohej më, derisa dje, ka gjetur dy persona që merreshin me këtë aktivitet kriminal. Shpëtim Bega dhe Bujar Sallata janë arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi janë kapur me dy mostra pasaportash të Bullgarisë, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.
Operacioni
Sipas policisë, në kuadër të operacionit të koduar "Ora e vonë", të realizuar nga specialistë të Sektorit Kundër Krimit Ekonomik, u mundësua kapja dhe arrestimi në flagrancë i dy shtetasve, të dyshuar për falsifikim të dokumenteve të realizuar në bashkëpunim. Nga të dhënat hetimore mësohet se të arrestuarit janë dy personat e lartpërmendur, përkatësisht të moshës 45 vjeç dhe 38 vjeç, dhe që kanë lindur e banojnë në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye në afërsi të lagjes "21 Dhjetori", ku u kapën në flagrancë me pasaporta bullgare, për të cilat dyshohet se po tentonin t‘i falsifikonin së bashku edhe me një sasi dokumentesh të dyshuara si të falsifikuara. Gjatë kontrollit të banesave të tyre u gjet një sasi tjetër dokumentesh të dyshuara, si të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta bullgare, një kartë identiteti bullgare, dokumente të një mjeti italian, 20 pulla taksash vjetore me vulë të njomë, një njësi qendrore kompjuteri, tre skanerë, tre celularë, dy USB dhe materiale të tjera implikuese. Policia tha se pas sekuestrimit të kompjuterit u bë edhe hapja e tij me urdhër të prokurorit. Në njësinë qendrore të kompjuterit u konstatuan afro 40 specimene vulash të institucioneve shqiptare. Policia shpjegoi se pas kryerjes të të gjitha veprimeve hetimore, materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve" në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 186 dhe 25 të Kodit Penal. Policia tha se ka identifikuar edhe personat, të cilët mund të kenë bërë porosi për falsifikim dokumentesh tek dy të arrestuarit. Por deri në mbrëmje nuk ka pasur shumë informacion në lidhje me aktivitetin e tyre kriminal, sidomos për çmimet që ata kishin për të bërë një pasaportë false bullgare.
Fenomeni
Mekanizmi për falsifikimin e pasaportave bullgare ka nisur kohë më parë, diku në vitin 2004. Në atë kohë, Bullgaria mori ftesë për t‘u pranuar në BE, ndërsa në Shqipëri flitej se kishte pakica bullgare sidomos në disa zona të Dibrës. Shumë shqiptarë, të cilët i dinin hilet e zanatit, filluan të interesoheshin dhe të kërkonin nënshtetësi bullgare, si pakica kombëtare. Shumë prej tyre arritën të falsifikonin dokumente sikur kishin lindur në ato zona, ku ka pakica bullgare, me qëllim që të marrin një pasaportë bullgare, e më pas të përfitojnë nga hyrja e këtij shteti në BE, sidomos për vizat, fenomen i cili i ka munduar prej vitesh shqiptarët. Personat që merreshin me falsifikim dokumentesh, gjetën treg pune dhe nisën të falsifikonin dokumente për persona të ndryshëm, kundrejt çmimeve përkatëse. Madje, shumë shqiptarë përfituan nga këto falsifikime dhe morën nënshtetësi bullgare, duke u cilësuar si pakica. E më pas, në vitin 2005, kur Bullgaria u bë pjesë e Bashkimit Evropian, ata i kishin rrugët e hapura për të udhëtuar, pa pasur nevojë për një vizë në shumë shtete të këtij komuniteti. Në atë kohë, duke parë këtë fenomen, policia ra në gjurmët e shumë falsifikuesve dhe kreu një sërë arrestimesh, ndërkohë që edhe mediat bënë një sërë investigimesh mbi këtë çështje, duke zbuluar se si mund të pajiseshe me një pasaportë bullgare, duke falsifikuar dokumentet. Por prej tre vitesh, ky fenomen kishte mbetur i fshehur dhe policia ngre dyshimet se mbase janë ringjallur interesat e shkelësve të ligjit për të rinisur profesionin e tyre të vjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›